MENU
klinika

Nga paralajmërimi për ndryshime në Kushtetutë te porositë për ekipin e ri

Zbardhet fjala e plotë e Bashës përballë anëtarëve më të lartë të PD

31.08.2021 - 09:07

Partia Demokratike ka ndezur motorët tashmë dhe është gati për legjislaturën e re parlamentare.

Kryedemokrati Basha mblodhi dje në selinë blu këshillin e ri kombëtar dhe grupin parlamentarë për ti dhënë porositë para nisjes së sesionit të ri parlamentar. Dhe porosia kryesore e kryedemokratit ishte që çdo funksionar i PD-së duhet që të bëhet zëri i qytetarëve për të mbërritur aty ku zëri qytetarëve nuk dëgjohet.

Në fjalimin e zbardhur nga gazeta “Panorama” që mbajti përballë rreth 600 anëtarëve të Këshillit Kombëtar, Basha tha se sfida e Partisë Demokratike tejkalon opozitarizmin, por që sipas tij, është një sfidë kombëtare për të rikthyer demokracinë. Në këtë kuadër, Basha nënvizoi edhe  nevojën e një reforme thelbësore kushtetuese pasi sipas tij, reforma e vitit 2008 nuk i përshtatet më nevojës urgjente të shqiptarëve për demokraci.

Sakaq, Basha u ndal edhe te ndryshimet e bëra brenda Partisë Demokratike. Sipas tij, reformimet brenda vetes janë në funksion të ripërtëritjes së energjive për të ndenjur besnik ndaj qytetarëve që i kanë besuar, që sipas kreut të PD-së, në 25 prill ishin të shumtë, kur merr parasysh se përballë kishin një kundërshtar që përdori çdo mekanizëm  të jashtëligjshëm për të penguar ndryshimin.

LULZIM BASHA

Si fillim, dua t’u uroj mirëseardhjen anëtarëve për herë të parë në Këshillin Kombëtar, që këtë vit është pasuruar me më shumë të rinj dhe të reja, me më shumë zonja dhe zonjusha. Beteja të mëdha kemi bërë gjatë këtyre viteve e të tjera kemi përpara, pasi ajo që ishte e vërtetë para 25 prillit, është e vërtetë edhe sot. Shqipëria ka ngecur në vend numëro, peng e qeverisë më të korruptuar në mbarë Europën, që punon kundër  interesave të shumicës të shqiptarëve. Masakra zgjedhore nuk u dha asnjë zgjidhje qytetarëve. Problemet e tyre nuk janë më të vogla, por më të mëdha, nevoja e tyre për një jetë më të mirë nuk është përmbushur, por kërcënohet nga i njëjti model që  shkaktoi varfërimin dhe largimin e të paktën 500 mijë shqiptarëve.

Prandaj, përballë zgjidhjes së munguar dhe ndryshimit të mohuar përmes atyre mjeteve që ju i njihni më mirë se kushdo tjetër, ne kemi përgjegjësinë për të luftuar për njerëzit e këtij vendi, për të qenë pranë tyre për problemet e vogla e të mëdha të familjeve shqiptare, për të kapërcyer bashkërisht vështirësitë dhe për të qenë zëri i tyre përballë çdo padrejtësie. Detyra e secilit prej nesh është të bëhemi zëri i qytetarëve, duke mos  harruar për asnjë çast të vetëm se kush jemi dhe çfarë përfaqëson Partia Demokratike. Mos harroni se edhe kur kishim kundër nesh të gjithë shtetin, oligarkët, krimin e organizuar, ne, të gjithë bashkë arritëm t’u japim shqiptarëve shpresë.

Prandaj duhet të luftojmë me gjithë forcën tonë për ta mbajtur gjallë këtë shpresë dhe të jemi krenarë për atë çfarë kemi arritur, pa përdorur asnjë mjet të paligjshëm, pa blerë vota, pa shantazhuar njerëzit, pa u ndotur me krimin dhe llumin e shoqërisë, siç ka bërë kundërshtari ynë, por vetëm me forcën e besimit tonë, duke mishëruar vlerat për të cilat kjo parti ka lindur dhe jeton. Ndaj mbajeni kokën lart.

Mos lejoni që jemi antiopozitar që ka për qëllim goditjen e Partisë Demokratike si të vetmen shpresë për njerëzit e këtij vendi, të jetë më i fortë se bindja e secilit prej nesh se modeli që kemi zgjedhor, autoriteti moral që kemi fituar, nuk buron nga muskujt e krimit, nga paratë e koncesioneve apo nga shkrirja e partisë me shtetin. Por nga besimi që ne kemi te vlerat tona, falë të cilave kemi qëndruar edhe në ditët më të errëta të këtyre tre dekadave, pa u thyer, pa u lodhur, pa e humbur vullnetin për të luftuar për Shqipërinë dhe shqiptarët.

REFORMIMI I PD

Në 25 prill, shqiptarët na besuan dhe na dhanë forcë. Po ashtu demokratët, që ne sot përfaqësojmë në këtë sallë, na  besuan në proceset e brendshme dhe kërkuan vijimin e përballjes për të shpëtuar demokracinë dhe për të sjellë ndryshimin në Shqipëri. Ne kemi detyrën që këtë vullnet të shqiptarëve dhe të demokratëve ta kthejmë në aksion politik.  Prandaj sot, jemi mbledhur për të përfunduar këtë fazë të parë të reformimit tonë të brendshëm në funksion të suksesit të betejës tonë kundër këtij regjimi të korruptuar, dhe për të sjellë ndryshimin që njerëzit presin me padurim dhe që ju mohua dhunshëm në 25 prill.

RISITË NË EKIPIN E PD 

Ekipi i ri, do të çojë përpara një sfidë që nuk është opozitare, por kombëtare, kthimin e legjitimitetit dhe demokracisë. Ekipi i ri, në nivelet e ndryshme drejtuese të partisë, ka detyrën të çojë përpara me vendosmëri betejën për kthimin e demokra- cisë dhe legjitimitetit në vend. Kemi mbi supe një sfidë që nuk është thjesht partiake, apo opozitare, por kombëtare. Ajo për çlirimin e zgjedhjeve dhe thyerjes së zinxhirëve të krimit, oligarkisë dhe të shtetit të shkrirë me to, që po shtrëngon eshtrat e drobitura të një Shqipërie që kërkon shpëtim.

Kjo është një sfidë që kërkon pak fjalë dhe shumë punë, pak retorikë dhe shumë politikë të ngritur mbi idetë tona, idetë e themeluesve tanë që e ndërtuan këtë parti në antipod me çdo gjë që përfaqësonte regjimin totalitar, e që sot më shumë se kurrë duhet të shërbejnë si ylli ynë Polar. Jam krenar që në këtë ekip do të kemi më shumë gra në detyra të rëndësishme, me profile të spikatura që e bëjnë Partinë Demokratike më gjithëpërfshirëse, jo për shkak të kuotave gjinore që shpesh herë ngatërrojnë sasinë me cilësinë e përfaqësimit, por si vlerësim të  profesionalizmit, integritetit dhe përkushtimit të tyre. Mirënjohje për angazhimin tuaj fisnik dhe suksese.

Të gjithë ata që dhanë kontributin e tyre në pozicionet e ndryshme drejtuese kanë mirënjohjen time dhe të demokratëve. Pres që harmonizimi i kontributeve të reja dhe ekzistuese të jetë në përputhje me pritshmëritë e demokratëve dhe shqiptarëve. Në kushtet e kapjes gati totale të mediave, propaganda e kthen çdo gjë që është e lavdërueshme mes nesh, nga kërkesat për përsosje të mëtejshme te kritikat konstruktive, në një  vorbull marramendëse, që na shtyn larg interesit publik duke na portretizuar në mënyrë të gënjeshtërt si të dobët apo në krizë. Ne nuk duhet ta pranojmë këtë përmbysje të së vërtetës.

Sepse të marrësh numrin e votave që ne morëm në 25 prill, pavarësisht krimit, oligarkëve, patronazhistëve, partisë të  bërë njësh me shtetin, ndryshimeve të njëanshme kushtetuese, do të thotë se përkundër të gjithave, ne dolëm më të fortë dhe më të bashkuar. Kështu që mos lejoni të hidhet poshtë mundi i demokratëve, mos lejoni të hedhin poshtë mundin tuaj, mos lejoni që e keqja të relativizohet, por le të punojmë fort, me vetëdijen se të gjithë bashkë kemi mundësuar një arritje të madhe pa pasur asnjë pushtet, të vetëdijshëm gjithashtu se i kemi të gjitha mjetet e nevojshme për ta zhbërë këtë padrejtësi që nuk i është bërë vetëm demokratëve, por mbarë shqiptarëve.

Vëllezër dhe motra, ajo që na pret është një përballje e gjithanshme me regjimin. Të gjithë e dimë që masakra e 25 prillit vetëm sa e thelloi krizën politike, ndërsa kundërshtari që kemi përballë, është zhytur edhe më thellë në bashkëpunimin e tij me krimin dhe  oligarkët, të cilëve tani duhet t’iu paguaj haraçin për shërbimet që ata i bënë në shkatërrimin e zgjedhjeve. Këtë faturë nuk do ta paguajë Rama, por shqiptarët. Zullumi vetëm trashet, korrupsioni vetëm bëhet edhe më kërcënues, krimi edhe më i epërm në arrogancën e tij përballë një shtetit të gjunjëzuar, ndaj dhe përballja me ta duhet të jetë e fortë dhe frontale. Kjo përballje do të zhvillohet në çdo fushë të jetës politike dhe shoqërore, brenda dhe jashtë Parlamentit, në  mbrojtje të gjithçkaje që kërcënohet nga kjo pakicë e korruptuar.

NDRYSHIMET KUSHTETUESE

Qëllimi kryesor i aksionit tonë është ta bëjmë Shqipërinë një vend të jetueshëm me mundësi për çdo shqiptar që sot po braktis vendin dhe për të arritur këtë duhet të përfshijmë çdo qytetare dhe çdo qytetar të këtij vendi. Është detyra jonë të organizojmë shumicën e shqiptarëve dhe rruga për ta bërë këtë është ajo me të cilën ndezëm të gjithë bashkë shpresën  dhe besimin në zemrat e njerëzve për ndryshim: duke iu dhënë prova se nuk u futëm në beteja vetëmohuese, duke hequr dorë nga çdo pushtet dhe çdo privilegj, për veten apo për karriget tona, por e kemi bërë dhe vazhdojmë ta bëjmë për  Shqipërinë, për demokracinë dhe për shqiptarët, që janë viktimat kryesore të masakrës zgjedhore dhe të modelit të Edi Ramës.

Jeta e tyre preket nga pasojat që ka prodhuar ky model shkatërrimtar. Ekonomia lëngon për shkak të korrupsionit dhe mungesës së konkurrencës, rendi dhe siguria janë në mëshirën  e krimit me të cilin ka bashkëpunuar për të masakruar zgjedhjet, institucionet janë të kapura dhe u shërbejnë klientëve të regjimit jo qytetarëve. Plagët që ky model shkakton në shoqërinë shqiptare janë të shumta, prandaj ne duhet të jemi çdo ditë  pranë çdo qytetari dhe në mbrojtje të interesit publik. Nga deputetët e zgjedhur te strukturat më të largëta të Partisë Demokratike, detyra jonë është që zëri i çdo shqiptari të dëgjohet dhe  shqetësimet e tyre të mëdha apo të vogla të jenë të përfaqësuara.

Sikurse kam theksuar në Kuvendin Kombëtar, për të zhbërë kapjen e shtetit nga korrupsioni dhe krimi dhe për t’ua kthyer institucionet dhe të drejtën për të vendosur qytetarëve, ne do të ndërtojmë në bashkëpunim me të gjitha grupet shoqërore që duan një ndryshim cilësor të jetës politike dhe ekonomike në vend, Platformën qytetare për demokracinë. Është tashmë e qartë që ndryshimet kushtetuese të 2008-ës nuk i përshtaten më nevojës ulëritëse të shoqërisë shqiptare për më shumë demokraci, për kontrollin dhe balancën e pushteteve, ndaj për t’i dhënë fund kapjes së shtetit, duhen ndryshime rrënjësore që duhet të vijnë si një reflektim dhe veprim i përbashkët i Partisë  Demokratike dhe intelektualëve, studentëve, pedagogëve, sipër- marrësve, artistëve, gazetarëve, të rinjve e të rejave që kërkojnë  një demokraci funksionale.

SFIDAT E OPOZITËS

Të dashur vëllezër dhe motra, sfidat që kemi përpara janë te mëdha, ndaj vullneti dhe vendosmëria jonë duhet të jenë  po aq të mëdha. Ne kemi lindur si partia e njerëzve të lirë dhe ajo që na mban të bashkuar në këtë Shtëpi të Lirisë është dashuria për Shqipërinë, pasioni për të shërbyer në jetën politike të vendit tonë, pasioni për të punuar për zhvillimin dhe integrimin në Bashkimin Europian, me idetë  dhe vlerat tona që na dallojnë si parti popullore europiane. Edhe pse jetojmë në kohë jo bujare për politikën, jo  vetëm në Shqipëri, kur politika shihet me rezerva, shqiptarët na besuan dhe na mbështetën.

Edhe pse miliona euro harxhohen në propagandë kundër nesh, edhe pse asgjë demokratike nuk kishte në masakrën e 25 prillit, shqiptarët na dhanë një besim të jashtëzakonshëm për planet tona konkrete, për vizionin tonë, për programin tonë. Ndaj, në këtë moment përcaktues për demokracinë e vendit, është e rëndësishme më shumë se kurrë që përballja me regjimin të  mos na largojë nga qytetarët dhe nga problemet e tyre. Rendin e ditës duhet ta përcaktojmë ne dhe ai duhet të jetë për  shqiptarët dhe me shqiptarët