Zjarri në malet e Pukës duket se janë drejt shuarjes. Këtë e ka bërë të ditur kryebashkiaku i Pukës, Gjon Gjonaj i cili ka deklaruar në një prononcim për mediat se situate po shkon drejt normalizimit.
Pas 7 ditësh në luftë me zjarret, Gjonaj shprehet se do të duhen edhe dy ditë për shuarjen totale të flakëve ndonëse dëmi i shkaktuar në pyjet e Pukës është i madh.
“Ishte një situatë e pazakontë. U desh angazhimi i shumë forcave në luftë me flakët. Një kontribut të madh kanë dhënë dhe forcat e ushtrisë të bashkuar me zjarrëfikëset dhe forcat ajrore që bënë të mundur kufizimin në maksimum të flakëve që do përfshinin kurorën e Pukës. Kjo është frymëmarrja që do i vendoste fundin e turizmit malor. Bëmë një punë të mirë, ndoshta pati lëndime, erërat e pafavorshme, ne bëmë të mundur futjen në kontrollin e njerëzve. Besoj se për punë dy ditësh do të neutralizohen flakët, jemi në 85% të punës. Asnjëherë nuk duhet fjetur, duhet të jemi vigjilent” – tha Gjonaj.
Ndërkohë kryebashkiaku i Pukës Gjonaj është i shqetësuar pasi sipas tij menaxhimi i pyjeve nuk mund të realizohet në këtë formë që është sot duke i kërkuar qeverisë dhe kryeministrit që të rishikohet menaxhimi i pyjeve.
“Në këto kushte ne duhet të bëjmë një program sa më real. Nuk trajtohet menaxhimi dhe trajtimi i pyjeve në këtë formë që bëhet sot. Unë kam 44 mijë hektarë dhe kam një polic pyjor, është për tu habitur, kam dyfishin e Shkodrës për mal dhe kam vetëm një teknik. Këtu ka 6. Duhet që ndërhyrja që do bëjë qeveria dhe veçanërisht marrja në dorë e situatës nga kryeministri do t’i japë përfundimisht problemit me pyjet” – tha Gjonaj.
Masat ndëshkimore për dëmet që shkaktohet në pyje bashkë me kapacitetet të shtuara njerëzore dhe logjistike duhet që t’i kalojë bashkive shprehet kryebashkiaku i Pukës dhe jo të jetë e ndarë në disa institucione siç është aktualisht.
“Ajo që është më kryesorja, sot menaxhimi, mashtrimi, mbjellja duhet ta bëjë vetëm bashkia. Duhet të shkohet deri tek metoda e planifikimit për prerjen e sa më pak, rritja e sistemit të mbjelljes që të mbuyllim defiçitin që do dalim në kohën e verës. Nëse ne do presim pa kriter, do japim leje pafund, do bëjmë tregti pafund dhe t’i japim dorë trafikantëve të pyllit, nuk do kemi më pyll. Ligjet e reja do na vendosin përpara përgjegjësisë dhe përpara përgjegjësisë duhet vendosur kryebashkiaku, drejtori i policisë pyjore, por këto do jenë vetëm nën një kupolë. Pse të mos na kalojnë dhe masat ndëshkimore për ata që shkelin ligjet” – shprehet Gjonaj.
Deri më tani nuk ka identifikim të autorëve të zjarrëvënieve në Pukë. Edhe në rastet kur konstatohet një keqbërës, tekniku i pyjeve të Pukës sipas kryebashkiakut Gjonaj duhet të telefonojë strukturat në Shkodër dhe i bie të qëndrojë me keqbërësin 6-7 orë duke mos patur asnjë siguri.
“Nëse do kapim një person që transporton dru zjarri, nuk ka të drejtë ta gjobisë pyjorja, duhet të njoftojnë me telefon drejtorinë e Shkodrës. Individi duhet të rrijë me keqbërësin 6-7 orë. Se çfarë sigurie që ka ky inxhiner të rrijë me këtë kontrabandistë, këtë nuk e kuptoj. Është problem që ne ta zgjidhim njëherë e mirë këtë punë, zgjidhet me ligj” – tha Gjonaj.
Dëmi i shkaktuar në pyjet e Pukës është i konsiderueshëm. Aktualisht një vatër në malin e Tërbunit vijon të jetë aktive si dhe në fshatin Flet të bashkisë Fushë Arrës ndërsa vijon punë për neutralizimin total të flakëve atje.