Një studente mbeti e plagosur mesditën e sotme në Vlorë, nga një person me të cilën kishte pasur lidhje sentimentale. Në pranga është vënë 30-vjeçari nga Shkodra, Fasil Likaj, i cili përpos pistoletës mbante me vete dhe dy granata dore.
30-vjecari Fasil Likaj kishte udhëtuar nga Shkodra në drejtim të Vlorës me granata dore dhe pistoletë në çantë. Ai ka pritur në një lokal derisa sa ka mbërritur 20-vjeçarja Kostandina Zanaj. Pas një debati të shkurtër verbal, dëshmitarët kanë treguar se djali e ka tërhequr zvarrë të renë dhe e ka qëlluar me pistoletë. 20 vjeçarja nga Berati por që kryente studimet e larta në Vlorë ka mbetur e plagosur në këmbë. Ajo është transportuar menjëherë në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e së shtunës në lagjen “28 Nëntori” pranë Poliklinikës së Vlorës duke shkaktuar panik tek klientët e lokalit dhe kalimtarët. Policia ka mbërritur menjëherë, duke vënë në pranga 30-vjeçarin Fasil Likaj dhe u sekuestrua arma e krimit. Por gjatë kontrollit është gjetur një granata e pashpërthyer në lokal që dyshohet se i ka rënë 30-vjeçarit gjatë përleshjes me ish-të dashurën. Po kështu në çantë mbante dhe një granatë të dytë.
‘Është marrë një telefonate se janë dëgjuar krisma me armë zjarri në një lokal në afërsi të ambulancës. Është bërë i mundur neutralizmi i personit të dyshuar që ka qëlluar me armë zjarri, është sekuestruar arma e zjarrit dhe personi është i shoqëruara në ambientet e policisë vendore në Vlorë. Kemi një vajzë të dëmtuar është 23 vjeçe dhe ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Arma e krimit është sekuestruar. Po kryejmë të gjitha veprimet.’- tha drejtori i policisë së Vlorës, Bledar Celiku.
Dyshohet se shkodrani Fasil Likaj dhe 20-vjeçarja nga Berati, studente në Vlorë, kanë pasur një lidhje dashurie të mëparshme dhe sipas policisë konflikti ka ndodhur për motive të dobëta. Paraprakisht mësohet se e reja po tentonte ti jepte fund lidhjes me 30-vjeçarin, i cili rrezikoi t’i merrte jetën!