MENU
klinika

Kanë mbetur të bllokuar në Afganistan

705 refugjatë të tjerë pritet të vijnë në Shqipëri

09.09.2021 - 18:06

705 afganë të tjerë pritet që të mbërrijnë në vendin tonë, avionët e të cilëve nuk po nisen dot nga aeroporti Mazar-e Sharif, Afganistan, megjithëse kanë lejë fluturimi. Qytetarët afganë fillimisht do të ndalojnë në aeroportin e Dohas në Katar, e më pas do të nisen për në Tiranë, ku qeveria shqiptare u ka garantuar strehimin.

Senatori amerikan Richarc Blumentah, i ka dërguar një listë të këtyre 705 personave kryeministri Edi Rama si dhe Departamentit Amerikan të Shtetit. Senatori amerikan Blumentah thotë se stafi i tij po punon për kalimin e sigurt të dy avionëve që të marrë qytetarët amerikanët, aleatët afganë në rrezik dhe familjet e tyre të sigurt.

‘Stafi im dhe unë kemi punuar natë e ditë për të siguruar kalimin e sigurt të dy avionëve që presin në Mazar-e Sharif për të marrë qytetarët amerikanë, aleatët afganë në rrezik dhe familjet e tyre të sigurt. Zyra ime bashkoi forcat në këtë mision humanitar me një koalicion të jashtëzakonshëm avokatësh – OJQ, ish -anëtarë të shërbimit dhe gazetarë – për të provuar dhe evakuuar bashkëqytetarët tanë dhe aleatët afganë. Unë ende nuk kam folur publikisht për këto përpjekje, sepse u shqetësuam se vëmendja e shtuar do të përshkallëzonte tensionet dhe do t’i vinte këta njerëz në rrezik edhe më të madh të shënjestrimit.

Unë kam qenë shumë i frustruar, madje edhe i zemëruar, për vonesën dhe mosveprimin e qeverisë sonë. Do të ketë shumë kohë për të kërkuar llogari për burokracinë e pafalshme që bllokoi kaq shumë aleatët tanë afganë. Tani për tani, fokusi im i vetëm mbetet marrja e këtyre aeroplanëve në mënyrë të sigurt në bazën tonë ajrore në Doha, ku ata tashmë janë lejuar të ulen. Unë pres që Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Shtetit të bëjnë gjithçka me fuqinë e tyre – absolutisht gjithçka – për ta bërë këtë të ndodhë. Këta janë qytetarë amerikanë dhe afganë që rrezikuan gjithçka për vendin tonë. Ne nuk mund t’i lëmë pas.’- shkruan ai.

Elizabeth Rubin gazetare e NewYork Times në një interviste televizive, vlerësoi mikpritjen që po u bën qeveria shqiptare refugjatëve afganë dhe nënvizoi se kryeministri Edi Rama është treguar jashtëzakonisht ndihmues.

‘Siç e dini Shqipëria dhe kryeministri shqiptar janë treguar jashtëzakonisht ndihmues dhe kanë treguar empati të lartë në këtë situatë dhe kanë lëshuar viza për këta 705 persona. Pra sa i përket dokumenteve të gjithë kanë ato dhe janë gati të fluturojnë. Këta njerëz janë lehtsisht të cënueshëm, po presin prej ditësh dhe dua ta theksoj se nuk ka njerëz të marrë peng. Ne kemi dokumentet për këta njerëz është koha që aeroplanët me këta njerëz të largohen nga Afganistani.’- tha ajo.

Numri total i refugjatëve afganë që kanë ardhur në vendin tonë ka shkuar në 644. ‘Qytet Studenti’ ishte vendi i parë ku u akomoduan fillimisht afganët, i cili shërbeu vetëm si një vend tranzit, deri sa të përfundonin procedurat e regjistrimit dhe më pas ato janë strehuar në strukturat hoteliere. Durrësi, Lezha dhe Berati janë tre qytetet që kanë hapur dyert për akomodimin e afganëve, sepse mundësia për strehimin e tyre në kampe është përjashtuar kategorikisht nga kryeministri Edi Rama. Shqipëria ishte ndër vendet e para që u angazhua për të strehuar qytetarët afganë të cilët po largohen nga vendi i tyre, pasi u kërcënohet jeta nga talebanët. Pritet që në Shqipëri të strehohen 4000 afganë të cilët do të qëndrojnë për 1 vit, deri sa ata të marrin vizën për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por nëse dikush prej tyre do të qëndrojnë përgjithmonë, është i lirë për ta bërë.