A do të dorëzohet Adriatik Llalla dhe ku ndodhet ai sot? Flet avokati i tij pasi GJKKO e dënoi me burg
Gjykata e Apelit të Posaçëm la sot në fuqi vendimin për dënimin me 2 vite burg të ish-prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla.
Në një prononcim për mediat avokati i Llallës, Sokol Hazizaj paralajmëroi se do ta çojë deri në Gjykatën e Lartë vendimin, duke e cilësuar atë të padrejtë.
Ndonëse gazetarët, jashtë dyerve të GJKKO, insistuan shumë, avokati Hazizaj nuk pranoi të japë asnjë detaj lidhur me vendndodhjen e ish-kryeprokurorit Llalla, duke thënë se nuk ka informacion se në cilin spital është shtruar ai.
“Jemi me gjykim të padrejtë. Di që Llalla është në spital, kaq di. Unë jam avokati i tij dhe jam këtu, para jush. Gjykata, edhe e Shkallës së Parë, edhe e Apelit, ka bërë copy paste të gjitha veprimet procedurale, asgjë tjetër. Do t’i ndjekim të gjitha hallkat, deri në Gjykatën e Lartë. Nuk e di ku ndodhet Llalla, nuk kam komunikim sa i përket anës shëndetësore të ish-kryeprokurorit, kam komunikim vetëm për anën procedurale”, tha avokati.
I pyetur se “A do të dorëzohet Llalla”?, avokati Hazizaj deklaroi se “Unë isha në Gjykatën e Apelit dhe shtrova të gjitha pretendimet, sa i përket mbrojtjes, më tej është Avokati i Shtetit që merret me ekzekutimet e vendimeve”.