Sipas ekspertëve, mutacioni kolumbian ‘Mu’ që po përhapet me shpejtësi në të gjithë botën, e tejkalon këtë shpejtësinë ngjitëse edhe të variantit ‘Delta’. Varianti më i ri i regjistruar nga OBSH-ja mund të jetë edhe më i rrezikshëm, jo vetëm për shkak të përhapjes, por edhe se shkakton një sëmundje më të rëndë.
Në një lidhje me Tv Klan, zv/ministrja e Shëndetësisë, Eugena Tomini, tha se deri në këto momente nuk ka asnjë sinjal të dyshuar që varianti ‘Mu’ të ketë hyrë në Shqipëri.
“Është cilësuar si një variant që ka interes edhe për OBSH-në, sigurisht survejanca epidemilologjike e rasteve të dyshuruara po vijon me intensitet si në fillimet e epidemisë. Deri në këto momente nuk kemi asnjë sinjal të dyshuar në laboratorin e ISHP-së për variantin e ‘Mu’-së”,– tha Tomini.
Zv/ministrja shtoi se vaksinimi, maska dhe distanca ulin transmetueshmërinë e virusit. Njëzëri, ekspertët theksojnë se vaksinat e të gjitha llojeve bëjnë të mundur zbutjen e efekteve që jep virusi ‘Sars Cov 2’ tek ata që prek, duke i ndihmuar ta kalojnë sëmundjen me pak simptoma dhe pa rrezik për jetën.
Ndërkohë, masat e reja të marra nga Komiteti i Ekspertëve janë vlerësuar në mënyrë dinamike dhe se nga 30 gushti kanë nisur të zbatohen rregullat në fuqi.