Kryeministri Edi Rama në një intervistë nga Sllovenia për radio BBC, gjatë bisedës me gazetaren Nuala McGovern, foli për afganët e strehuar në Shqipëri.
Kreu i qeverisë tha se është pikëlluese që NATO të sprapset si hije përkundrejt premtimeve të lirisë të dhëna në Afganistan.
Kryeministri zbuloi se një sërë organizatash dhe fondacionesh kontaktuan me qeverinë për strehimin e afganëve duke u shprehur se u kishte thënë “po” menjëherë”.
Po ashtu Rama thotë se është krenar që shumica e shqiptarëve ishin pro strehimit të afganëve dhe i mikëpritën këta të fundit.
I pyetur se si erdhi mendimi që Shqipëria të presë refugjatë afganë, Rama u përgjigj: “Na erdhi shumë natyrshëm, sepse vetëm 30 vite më parë ne ishim afganët në anën tjetër të bregdetit të Adriatikut në përpjekje për të gjetur strehë në Itali dhe Europë për tu shpëtuar talebanëve të kuq të Tiranës”.
Kryeministri përsëriti edhe njëherë kritikat për NATO-n, duke u shprehur se: “Vendet e NATO-s ishin mbështetja kryesore për Afganistanin ndaj sprasja si hije përkundrejt idealeve, parimeve dhe premtimit të lirisë që iu dhamë përgjatë dy dekadave është pikëlluese dhe shfaqja e aleancës ushtarake më të fuqishme në botë, e ngritur për ti ruajtur këto ideale, si një organizatë pa shtyllë kurrizore nuk është ajo çka duhet të ndodhë”.
Ndërsa pyetjes se sa do të qëndrojnë afganët në Shqipëri, Rama iu përgjigj se ata kanë mundësinë e vizës amerikane, e kësisoj qëndrimi i tyre në vendin tonë është teorikisht i përkohshëm.
“Na u ofruan disa organizata, fondacione, përtej oqeanit në SHBA, përfshi fondacionin “Yalda Hakim” nga ana tjetër dhe thamë menjëherë “po”. Na e kërkoi qeveria amerikane dhe thamë menjëherë “po”. Arsyetimi është se këta njerëz kanë mundësinë të marrin viza dhe të shkojnë në SHBA, çka e bën qëndrimin e tyre teorikisht të përkohshëm”, tha kreu i qeverisë.