Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar sot me liderët e subjekteve opozitare në Kuvend. Ai ka pritur në takim në zyrën e tij në qeveri kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Takimi i sotëm është zhvilluar me qëllim të njoftimit të partive opozitare për gjendjen e sigurisë në vend, në veçanti në veri të Kosovës.
“U bisedua për situatën dhe zhvillimet në pjesën veriore të Republikës së Kosovës, si dhe u theksua përkushtimi i institucioneve të Republikës së Kosovës në shërbim të paqes dhe sigurisë, kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Krerët opozitarë Krasniqi dhe Abdixhiku shprehën mbështetjen për sundimin e ligjit në mbarë territorin e Kosovës dhe për mbrojtjen e kufijve të shtetit tonë.
Ata po ashtu theksuan mbështetjen për Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera shtetërore.
Të shtunën, më 25 shtator, Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok është djegur, ndërsa është sulmuar edhe Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan.
Sipas hetimeve preliminare aty janë hedhur dy bomba dore, por të cilat “nuk kanë eksploduar”.
foto galeri foto galeri foto galeri foto galeri 1234PreviousNext
Për shkak të zhvillimeve në veri, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani më 25 shtator ndërpreu vizitën e saj në Shtetet e Bashkuara dhe u nis drejt Kosovës.
Më herët gjatë të shtunës, Kurti deklaroi se dy sulmet në veri, ishin të qëllimshme.
“Individë ose grupe të cilave sundimi i ligjit dhe rendi e siguria publike ua rrezikon aktivitetin kriminal po e sulmojnë shtetin tonë dhe po e cenojnë paqen. Qartazi ata po i nxit e mbështet Serbia, përkatësisht regjimi autokrat atje. Fatkeqësisht, para syve të bashkësisë ndërkombëtare, Serbia po përdorë qytetarë të Kosovës për të provokuar konflikt serioz ndërkombëtar”, tha Kurti.
Ai tha se akte të tilla nuk do të tolerohen, ndërkaq u bëri thirrje qytetarëve në veri të vendit që ta ruajnë qetësinë dhe të bashkëpunojnë me institucione.
Më herët gjatë të shtunës, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla tha se përkundër veprimeve të tilla, Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të zbatojë vendimin për masën e reciprocitetit për targat me Serbinë, në tërë territorin e Kosovës.
“Këto veprime kriminale tregojnë më së miri se çfarë do të ndodhte në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak nëse nuk do të kishim praninë e njësive speciale për të garantuar rend dhe siguri”, ka shkruar Sveçla në rrjetin social Facebook.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se dy sulmet e së shtunës në Zubin Potok dhe Zveçan, dëshmojnë se Serbia është “burimi kryesor i destabilizimit në rajon”.
Ajo i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mos injorojë, atë që ajo e cilësoi si tendencë të Rusisë dhe Serbisë për destabilizimin e rajonit dhe më gjerë.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se qeveria duhet të marrë masa për të siguruar jetën e pjesëtareve të Policisë së Kosovës si dhe të gjithë qytetareve në veri të Kosovës.
“Në përgjegjësinë e qeverisjes, gjithmonë është e udhës që për vendime të rëndësishme, të ketë koordinim dhe strategji të qëndrueshme. Por, vendimet legjitime të institucioneve të Kosovës, janë vendime sovrane të shtetit të Kosovës, të cilat nuk mund të bllokohen, e mbi të cilat nuk mund të instruktohet kërcenim mbi shtetin tonë”, ka shkruar Krasniqi në rrjetin social Facebook.
Lidhur me situatën në veri ka reaguar edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. Ai ka thënë se ‘gjendja e tensionuar në veri kërkon unitet të plotë’.
“Propozoj që kryeministri të mbledhë spektrin politik në vend, të ftojë partitë parlamentare në takim – pozitë e opozitë pa dallim, në mënyrë që të shfrytëzojmë të gjitha kapcitetet tona, vendore e të jashtme, për të mbrojtur interesat tona shtetërore sot”, ka shkruar Abadixhiku në Facebook.
Abdixhiku i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar, që të veprojnë në mënyrë që të shmangen kërcënimet e Serbisë dhe tensionet në veri të vendit.
Kreu i partisë opozitare, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se situata në veri është e papranueshme.
Ai ka thënë se mbështet Qeverinë dhe Policinë e Kosovës.
“Provokimet e serbëve në veri janë të projektuara në Beograd dhe në Moskë, e Prishtina, duke mos rënë pre e këtyre provokimeve, duhet të jetë e vendosur në mbrojtje të qenësisë së saj”, tha Haradinaj.