MENU
klinika

Teatri më i ri në qytet!

Artisti ofron shtëpinë: Kudo ka një copë vend… për pak Art

29.09.2021 - 18:15

         Aktori i njohur, Naun Shundi, po ndërton një teatër dhome në shtëpinë e tij, në zonën e Ish-Kinostudios.

Teatri, që do të jetë një hapësirë alternative në qytet, do të mbajë emrin “Zonja e bujtinës”, si për të mirëpritur promovimet e librave të rinj, koncertet, ekspozitat, a takimet për kulturë.

“Emërtesa e teatrit është “Zonja e bujtinës”- në këtë rast është zonja ime, ajo që kam pasur gjithmonë në krah. Ajo ka udhëtuar me mua, në të njëjtën rrugë e ndonjëherë, si në këtë rast, ecën më shpejt se unë dhe jo thjesht përkrah… e unë mezi e ndjek”, tha Shundi.

Me një hapësirë për 50-60 spektatorë, mjeshtri i ndriçimit Edi Dingu, ka nisur nga puna.

Gjithçka nisi me shembjen e teatrit. Një copëz nga ndërtesa që mbartte shumë kuptim e domethënie, Shundi e mori  me vete në shtëpi… për të ngritur një teatër tjetër.

Sot, ai tregon dhimbjen e atyre ditëve, përmes një metafore dhe sytë, nuk ia fshehin gëzimin që i jep jetë shpirtit të artistit:

“Këta të lagjes kanë bletë.

Bletët e tyre vijnë e kullosin te lulet e mia. Dhe unë nuk luajta mendsh që të shkoj t’u them ”më jepni pak mjaltë, se bletët kanë marrë nektarin e luleve të mia”.

Unë jam i kënaqur vetëm për faktin që kam lule dhe mund të vijë çdo bletë. Jam i kënaqur që ëmbëltoj dhe mjaltëzoj me lulet e mia, shijen e të tjerëve”.

 ”Zonja e bujtinës” është ende në ndërtim dhe me financimin privat të aktorit, si dhe donacione të miqve.