MENU
klinika

"Po defaktorizojnë opozitën"

Bamir Topi: Berisha dhe Basha do të neutralizojnë njëri-tjetrin

24.09.2021 - 15:25

Ish-presidenti Bamir Topi ka komentuar përplasjet në Partinë Demokratike. Në një intervistë për ABC News, Topi tha se ai po sheh të përplasen kokë më kokë dy personazhe që nuk i kanë lënë shije dhe respekt në konsumin e marrëdhënieve të tyre politike. Megjithatë, ai shtoi se marrëdhënien e ka pasur më të ngushtë me liderin historik, kurse Bashën e cilësoi si një produkt politik të Sali Berishës.

Duke folur për mënyrën sesi kreu aktual i PD u fut në parti në vitin 2005, Topi shprehet: “Nuk u përdor mekanizmi politik, u përdor futja në struktura nëpërmjet një strukture jo puro politike. Erdhën ekspertë që u futën shumë shpejt në listat e kandidatëve për deputetë.

Mekanizmi erdhi si ekspertizë e pastaj në grup, iu dhanë pozicione të rëndësishme ministrore. Basha pati pozicione të rëndësishme. Ka qenë i preferuar. Kam parë skena në vijimësi të një mungese kimie mes zonjës Topalli dhe tij. Ndonjëherë zonjat kanë më shumë intuitë për të dalluar riskun.”

Nga këndvështrimi i Topit, drama e madhe e liderit historik të PD është se po sheh veten politikisht të vrarë nga krijesa e tij.

I pyetur se kë do të zgjidhte ai për në krye të PD, ish-presidenti thotë se Berisha dhe Basha janë bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës të situatës.

Dhe, parashikimi i Topit për fundin e kësaj “beteje” është se Basha dhe “babai i tij politik” do të neutralizojnë njëri-tjetrin duke defaktorizuar imazhin e PD-së dhe opozitës në tërësi.

“Berisha sot është më i butë sot. Ka humbur moralin, ka humbur aleatë. Ka humbur edhe moshën. Ka një konfrontim me krijesën e tij. Janë bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës. Do ta neutralizojnë njëri-tjetrin duke defaktorizuar imazhin e PD dhe opozitën…Ka ardhur koha që të mendohet për një rigjenerim total të së djathtës.”

REMOTE_ADDR:[]