Gjatë fjalës së saj në mbledhjen e Komitetit Teknik të Ekspertëve, shefja e ISHP, Silva Bino, tregoi se si po vijon fushata e vaksinimit në vendin tonë.Ajo tha se sa i përket Bashkive, mbulesën vaksinale më të lartë e kanë Bashkitë e Gjirokastrës dhe Delvinës, ndërsa bashkia e Durrësit, ka dalë nga zona e kuqe.
Gjithashtu, ajo tregoi se punonjësit shëndetësorë janë vaksinuar në pjesën më të madhe, ndërsa më pak injektime kanë kryer pedagogët dhe edukatorët e kopshteve dhe çerdheve.“Gjatë kësaj jave ka pasur një rritje të vaksinimit lidhur me dozat e dyta. Ka pasur edhe një përmirësim në mbulesën vaksinale në bashki të ndryshme, dua të përmend këtu Durrësin që ka dalë nga zona e kuqe. Sa i përket bashkisë që ka mbulesën vaksinale më të mirë, është bashkia e Gjirokastrës, e pasuar nga Delvina. Në veri kemi 2 bashki me mbulesë vaksinale mjaft të mirë, është bashkia e Mirditës dhe Pukës. Hap pas hapi tregojmë që kalojmë në ngjyra të ndryshme që tregon dhe rritjen vaksinale.
Nga ana tjetër, ajo që vihet re është që arsimtarët e shkollave të mesme kanë mbulesë më të mirë vaksinale se edukatorët dhe pedagogët. Ata me 2 doza shkojnë në 66% në krahasim me pjesën tjetër që është më i ulët. Përdorimi i vaksinës, është një indikator i performancës së kryerjes së vaksinimit është mbi 80% në të gjitha vaksinat. Çdo vaksinë është përdorur konform të gjitha rregullave. Pra, ne nuk kemi humbje të vaksinës, vazhdojmë të punojmë me humbje zero të vaksinës. Kjo është një indikator që ne si vend jemi vlerësuar nga OBSH në lidhje me këtë aspakët. Sa i përket punonjësve shëndetësorë kemi mbulesë vaksinale të lartë, por kemi akoma nevojë për rritje të vaksinimit për të gjitha grupmoshat”, u shpreh Bino.