Nga veriu në jug, flakët ‘pushtuan’ sipërfaqe të tëra me kullota e pyje në vend, duke djegur gjithçka gjetën përpara. Vlora ishte një ndër qarqet më të prekur, ku zjarret në Karaburun vijuan për javë të tëra. Prefekti Flamur Mamaj, ndëra bën një bilanc të sipërfaqes së djegur, thotë se në total janë shkrumbuar 4800 ha kullota dhe 12 ha pyje në Karaburun.
Të dëmtuara janë edhe sipërfaqe të tëra me shkurre e kullota në Selenicë, Himarë dhe Finiq, por ende nuk ka një përllogaritje të saktë të sipërfaqes së djegur. Sipas Mamaj, shumica e zjarreve janë të qëllimshëm, ndërsa policia po heton teksa janë shoqëruar 15 persona
“Shumë shpejt do të bëhen analizat me aktorë për të evidentuar problematikat dhe ndarë përgjegjësitë. Zjarret dyshohet të jenë të qëllimshëm ndërsa policia po heton teksa janë shoqëruar 15 persona. Kam kërkuar ndryshimin e kodit penal për zjarrvënësit. Në të gjitha bashkitë e qarkut janë evidente mangësi të theksuara e për këto do të mbajë secili përgjegjësinë e tij “, u shpreh prefekti Mamaj.
Edhe në Lezhë dëmet e shkaktuara nga zjarret janë të mëdha, ku sipas të dhënave të Mbrojtjes Civile, janë shkrumbuar 400 hektar pyje në të gjithë qarkun. Dëmet më të shumta kanë qenë në Thirrë dhe Munellë të Bashkisë Mirditë.
Sikurse në Vlorë, edhe në Lezhë dyshohet se pjesa më e madhe e zjarreve kanë qenë të qëllimshme, ndërsa situatat e krijuara nxorën në pah mungesën e burimeve njerëzore dhe logjistike për të ndërhyrë në raste të tilla, fakt që pranohet dhe nga vetë institucionet.
Zjarret goditën rëndë vendin këtë verë, ku mes qarqeve problematikë ishte dhe Gjirokastra, ku u regjistruan dhe dy viktima, Andrea Haxhiaj dhe Tatjana Haxhiaj.
Andrea Haxhiaj ndërroi jetë më 3 gusht në fshatin Asim Zeneli në Gjirokastër si pasojë e flakëve që rrethuan banesën e tij. Haxhiaj tentoi të shuaj zjarrin në vreshtin që kishte në oborr, por si pasojë e flakëve ndërroi jetë.
Vetëm 8 ditë pas ndarjes nga jeta të bashkëshortit, ndërroi jetë edhe bashkëshortja e tij e cila kishte pësuar djegie të mëdha në trup dhe nuk mundi të mbijetonte.