MENU
klinika

Analiza

Bjellorusia dhe Perdja e re e Hekurt e Evropës

10.09.2021 - 15:57

Nga Brian Whitmore, Atlantic Council

Alexander Lukashenko zgjodhi një vend shumë domethënës javën e kaluar për të njoftuar se Bjellorusia do të marrë së shpejti një ngarkesë të madhe me pajisje ushtarake nga Rusia. Duke folur në qytetin lindor bjellorus, Babrujsk, më 1 shtator, udhëheqësi autokrat tha se Rusia do të dërgojë avionë luftarakë, helikopterë dhe sisteme raketore të mbrojtjes ajrore, ndoshta duke përfshirë edhe sistemet e njohura S-400 “në të ardhmen e afërt”.

Rëndësia e bërjes së një njoftimi të tillë në Babrujsk duhet të jetë e qartë për këdo që ka ndjekur lojën e “maces dhe miut”, që ka karakterizuar në fakt marrëdhëniet Rusi-Bjellorusi vitet e fundit. Që nga viti 2013, lideri i Kremlinit Vladimir Putin është përpjekur që ta armatosë Lukashenkon, në mënyrë që ky i fundit të lejojnë ngritjen në këtë qytet të një baze të re ajrore ruse, kërkesë ndaj së cilës presidenti bjellorus kishte kohë që po rezistonte.

Dhe ai ka pasur deri vonë një sjellje të tillë kundërshtuese. Në marsin e këtij viti, Lukashenko tha se ishte gati të hiqte dorë nga kundërshtimi i tij i gjatë ndaj bazës së re ruse në Babrujsk, e cila do të pajisej me avionë luftarakë rusë SU-27 të drejtuar nga pilotët rusë. Në këtë qytet ndodhet tashmë një bazë ajrore bjelloruse. Në njoftimi i Lukashenkos për mbërritjen së shpejti të një ngarkese të re të madhe me pajisje ushtarake ruse, ishin vetëm të dhënat më të fundit në një seri zhvillimesh që tregojnë forcimin e militarizimit të Bjellorusisë,si dhe përshpejtimin e integrimit të forcave të armatosura ruse me ato bjelloruse.

Ditën që Lukashenko bëri deklaratën e mësipërme, trupat ruse që drejtojnë sistemet raketore kundërajrore kishin mbërritur në qytetin perëndimor bjellorus, Hrodna, pranë kufirit me Poloninë dhe Lituaninë, me synim ngritjen e një qendre të përbashkët stërvitore ushtarake.

Ditë më vonë, disa avionë luftarakë rusë SU-30SM, mbërritën në një bazë ajrore në Baranoviçi, po ashtu në Bjellorusinë Perëndimore. Dhe në datat 10-16 shtator, janë planifikuar të zhvillohen disa stërvitje të mëdha të përbashkëta ruso-bjelloruse të inkuadruara nën emrin “Zapad-2021”.

Ato pasojnë një numër rekord stërvitjesh të përbashkëta ushtarake midis të dyja vendeve gjatë këtij viti, me rotacionin e vazhdueshëm të forcave ruse që kanë një prani de facto të përhershme në Bjellorusi.

Militarizimi i përshkallëzuar i këtij vendi dhe zgjerimi i pranisë ushtarake ruse atje, përfaqësojnë ndryshimin cilësor më të rëndësishëm në ekuacionin e sigurisë në krahun lindor të NATO-s që nga aneksimi i Krimesë nga Moska në vitin 2014, dhe ndërhyrjen e armatosur në rajonin e Donbasit në Ukrainën Lindore.

Kjo tendencë kërcënon drejtpërsëdrejti sigurinë e Letonisë, Lituanisë dhe Polonisë. Po ashtu ajo e forcon aftësinë e Moskës për të mbyllur Hendekun Suvalki, një zonë afro 100 kilometra e gjerë në kufiri Poloni-Lituani, e gjendur midis Bjellorusisë dhe rajonit të militarizuar rus të Kaliningradit, që do të shkëpuste shtetet baltike nga pjesa tjetër e NATO-s.

Mund të jetë ende shumë herët të flitet për rikthimin e një Evrope të ndarë. Por në kushtet kur  Bjellorusia po i ngjan gjithnjë e më shumë një segmenti të Qarkut Ushtarak Perëndimor të Rusisë, gjërat me siguri duket se po shkojnë në atë drejtim.

Si për ta forcuar më tej atmosferën e Perdes së Hekurt, Polonia, Lituania dhe Letonia, kanë nisur kohët e fundit të ndërtojnë gardhe me tela me gjemba në kufijtë e tyre me Bjellorusinë,si kundërpërgjigje ndaj një krize që e ka prodhuar enkas Lukashenko përmes importimit të emigrantëve nga e gjithë Lindja e Mesme në Minsk, dhe më pas duke lehtësuar hyrjen e tyre të paligjshme drejt vendeve të BE-së.

Parlamenti polak votoi më 6 shtator pro shpalljes së gjendjes të jashtëzakonshme nga ana e presidentit Andrzej Duda përgjatë kufirit lindor të vendit me Bjellorusinë. Duke iu referuar krizës së emigrantëve të paligjshëm, stërvitjeve ushtarake“Zapad-2021”, dhe militarizimit të shtuar të Bjellorusisë, kryeministri polak Mateusz Morawiecki tha se “në Moskë dhe Minsk po shkruhen skenarë” që kërcënojnë sigurinë dhe sovranitetin e Polonisë.

Dominimi gradual ushtarak i Rusisë mbi fqinjin e saj shumë më të vogël perëndimor, e bën më pak emergjent projektin afatgjatë të integrimit më të thellë politik dhe ekonomik të Bjellorusisë me Rusinë.Më 9 shtator Lukashenko shkoi në Moskë dheu takua për herë të pestë me Putinin brenda këtij viti.

Analisti politik bjellorus Artem Shraibman, vuri në dukje në një koment të fundit “se nga pala ruse, ka qartazi më pak entuziazëm” për procesin e integrimit formal sesa në vitin 2019. Shraibman shtoi se ekzistojnë“metoda më të shpejta” për ta mbajtur Bjellorusinë brenda orbitës së Rusisë, përfshirë bazën e re ushtarake në Hrodna, dhe “Moska po i përdor ato në mënyrë shumë aktive”.

Pra Rusia nuk ka nevojë që ta aneksojë Bjellorusinë përmes një operacioni ushtarak spektakolar të stilit të Krimesë. Dhe nuk ka më nevojë që të ushtrojë presion ndaj Lukashenkos për një integrim më të thellë midis 2 vendeve.

Regjimi i Putinit po i arrin tashmë synimet e tij gjeopolitike në Bjellorusi duke shfrytëzuar izolimin dhe cënueshmërinë e Lukashenkës, për të vendosur në mënyrë të përhershme bazat ushtarake ruse në territorin bjellorus. Bjellorusia është tani një platformë ushtarake ruse, dhe Perëndimi duhet t’i përshtatet këtij realiteti për të mbrojtur shtetet e vijës së parë të NATO-s.

Një Perde e re e Hekurt mund të bjerë sërish mbi Evropë. Ajo mund të mos jetë në të njëjtën shkallë me barrierën mbarëkontinentale të epokës së Luftës së Ftohtë. Gjithsesi ajo do të sjellë me vete pasoja të mëdha për sigurinë evropiane dhe konfrontimin me Rusinë e Putinit.

Shënim: Brian Whitmore, është anëtar i Qendrës Eurazia në Këshillin Atlantik, dhe asistent profesor në Universitetin e Teksasit në Arlington.