Banka e Shqipërisë ka vendosur dje një normë tavan interesi për kreditë konsumatore. Në fillim të këtij viti, nisur nga ankesat e qytetarëve për interesat e larta të kredive dhe penalitetet pa kriter që iu vendosin institucionet për to, BSH paralajmëroi se do të vendoste një normë tavan interesi për çdo institucion kredidhënës. Ashtu sikur edhe gazeta ka raportuar herë pas herë, abuzimet më të shumta me interesat e kredive aplikoheshin nga mikrofinancat. Madje këto institucione aplikonin penalitete shumë të larta ndaj konsumatorëve për kamatëvonesat. Sigurisht propozimi i Bankës u kundërshtua menjëherë nga mikrofinancat në vend dhe BSH nuk vendosi për zbatimin e tij.
Por, duke parë se abuzimet janë rritur shumë në javët e fundit nga mikrofinancat, ku normat e interesit variojnë nga 10% deri në 40%, Këshilli Mbikëqyrës i BSH vendosi dje një normë tavan për interesin e çdo lloj kredie, duke theksuar se kjo do të reduktojë abuzimet nga jobankat. “Ndryshimet në rregulloren “Për kredinë konsumatore dhe kredinë hipotekare” synojnë të sigurojnë praktika të drejta në treg, në lidhje me nivelin e normave të interesit, si dhe penaliteteve të aplikuara, sidomos nga subjektet jobanka, për produktet e kredisë konsumatore”, thuhet në vendimin e Këshillit. Ndërsa tregon se ky ndryshim është bërë duke marrë si shembull vendet e BE, Këshilli ka bërë më dije se janë marrë edhe propozimet nga mikrofinancat por është vërejtur se mes atyre institucioneve ka luhatje dhe ndryshime të mëdha të interesit të kredive, prandaj u pa e arsyeshme të dilet në këtë vendim. “Për rrjedhojë, disa ndryshime u realizuan edhe në rregulloren “Për funksionimin e regjistrit të kredive në Bankën e Shqipërisë, si dhe kushtet dhe procedurat për njohjen, përdorimin dhe rishikimin e të dhënave që administrohen në të””, sqarohet në vendim.
Kufizime të tjera
Ndër të tjera, bëhet me dije se Këshilli ka vendosur edhe një normë tavani për penalitetet që iu vendosen konsumatorit për kamatëvonesat. Sipas vendimit të publikuar, mikrofinancat nuk do mund të vendosin penalitete me vlerë më të lartë se sa 30% i këstit të prapambetur. Sipas BSH, penalitetet e larta të aplikuara deri më tani kanë ndikuar shumë të tregu financiar dhe sidomos tek rritja e kredive me probleme. “Këshilli Mbikëqyrës parashikon gjithashtu vendosjen e një kufiri të penaliteteve dhe kamatëvonesave në masën 30% të detyrimit kontraktor, i kuptuar si vlerë e kësteve të papaguara (principal+interesa). Vendosja e këtij tavani është parë e arsyeshme për shkak të problemeve të krijuara me kreditë e këqija që kalonin nëpër një fazë të stërzgjatur të procesit të rikuperimit. Penalitetet e larta, që i fryjnë detyrimet përtej çdo kufiri të arsyeshëm, janë identifikuar si një element që cënon të drejtat e huamarrësve dhe ushqen praktika jo morale biznesi nga mbledhësit e borxheve të këqija”, është shprehur BSH.