Në Shqipëri rastet e reja me koronavirus shënuan për të 11 javë radhazi, një tjetër rritje të ndjeshme. Viktimat u rritën gjithashtu, sikundër dhe numri i pacientëve në spitale, përfshirë personat në gjendje të rëndë.
Të dhënat e përpunuara nga Zëri i Amerikës, tregojnë se në total, gjatë javës së fundit 31 gusht-6 shtator u rregjistruan 6166 të infektuar rishtazi, me një rritje prej 11.8 përqind, krahasuar me javën pararendëse, ose mbi 600 të prekur më shumë. Bëhet fjalë për nivelin më të lartë që prej fundit të muajit shkurt, kur pandemia kishte dhënë shenjat e rënies, pas pikut që shënoi në atë periudhë. Dita me nivelin më të lartë, ka qenë e hëna e kaluar, (31 gusht) me 1054 raste. Edhe numri I rasteve aktive ka kaluar mbi 12 mijë.
Ajo që bie në sy është se krahasuar me javën pararendëse (24-30 gusht) testimet kanë qenë thuajse të njejta, duke dëshmuar një përhapje gjithnjë e më të gjerë të virusit. Për pasojë, pozitiviteti (raporti mes testimeve dhe rasteve të reja) shënoi një tjetër kërcim, duke u ngjitur në 15.1 përqind, nga 13.6 përqind që ishte në javën pararendëse. Pozitiviteti është treguesi i transmetueshmërisë së virusit në komunitet.
Në përkeqësim dhe situata në spitale. Autoritet u detyruan që pak ditë më parë të vënë në dispozion përveç spitalit Infektiv dhe strukturat e COVID 3. Deri të hënën numëroheshin 147 pacientë të shtruar, numri më i lartë që nga 26 prilli, dhe gati 50 përqind më shumë se një javë më parë.Edhe rastet që paraqiten në gjendje të rëndë, e që kërkojnë trajtim në terapi intensive janë shtuar. Në 24 orët e fundit ishin 17 persona, ndërkohë që gjatë javës numri i tyre ka shkuar deri në 19 të sëmurë rëndë.
Kjo situatë është reflektuar dhe në rritjen e viktimave. Në total gjatë javës së fundit u rregjistruan 24 humbje jete, nga 17 të një jave më parë. Bëhet fjalë për kuotën më të lartë javore që nga fundi i muajit prill. Në 24 orët e fundit, ministria e Shëndetësisë njoftoi për 4 të vdekur: një qytetare 55 vjeçe nga Lezha, një qytetar 72 vjeç nga Lushnja, një qytetar 72 vjeç nga Peqini dhe një qytetar 78 vjeç nga Shkodra.
Autoritetet, përveç ashpërsimit të masave kufizuese, përsërisin thirrjet për vaksinimin e popullatës mbi 18 vjeç. Të dhënat zyrtare, deri të hënën, i përkisnin datës 3 shtator, dhe sipas tyre rezulton se 844.304 qytetarë, 0se 38 përqind e atyre që janë mbi 18 vjeç, kanë marrë të paktën një dozë. Prej tyre 655.594 qytetarë kanë marrë të dyja dozat e vaksinës.