MENU
klinika

Nga Aranit Muraçi

‘Çuditërisht’ dielli lindi sot sërish, pa Berishën në PD. Çfarë do të ndodhë me Bashën?

10.09.2021 - 20:50

Dielli rilindi sot sërish, por lindi për herë të parë pa Sali Berishën në Partinë Demokratike.

Partia Demokratike e drejtuar nga Lulzim Basha vendosi të ndahet nga e kaluara e saj 30-vjeçare, për të hapur një kapitull të ri.

Lulzim Basha iu përgjigj më në fund frymës perëndimore të partisë, duke marrë përgjegjësinë e këtij vendimi, sepse ndryshe, ai dhe përkrahësit e tij, e kuptuan se me Sali Berishën po gatuanin humbjet e radhës.

Në fakt, nuk ka ndodhur asgjë e jashtëzakonshme. Ishte e vetmja rrugëzgjidhje që PD-ja të shkonte në Kuvend edhe me Berishën, edhe pa Berishën.

Situata sot në PD është e ngjashme me ndarjen e Partisë Socialiste nga e kaluara komuniste në ’91, si e vetmja rrugzgjidhje pas presionit perëndimor. Enver Hoxhën, themeluesin dhe drejtuesin e Partisë Komuniste, e nderojnë edhe sot nostalgjikët (siç po ndodh me përkrahësit e Berishës), ndërsa partia e tij nuk dihet nëse ekziston qoftë edhe formalisht.

Ata që thonë se Basha tradhtoi Berishën, njësoj siç pretendojnë ende sot nostalgjikët e Enverit për Ramizin, kanë të drejtën e tyre të besimit se partia nuk mund të bëjë dot pa njeriun që është vetë partia, “liria”, “demokracia” dhe Shqipëria.

Ata që besojnë se Berisha duhet t’ia rimarrë drejtimin e PD-së Bashës, janë pak a shumë njësoj siç ishin ata që i dolën kundër Ramizit kur pranoi pluralizmin politik. Në fakt, Berisha po përkrahet dhe po nxitet nga të gjithë ata të cilët duan t’i marrin Bashës drejtimin e PD-së.

Ajo që mbetet për t’u parë, me pak gjasa që të ndodhë, është nëse Berisha do të marrë ndonjë aksion politik, për rrëzimin e Bashës dhe marrjen e selisë nga ana e tij.

Basha e mori drejtimin e PD-së me vullnetin e Berishës dhe kishte besimin e tij deri një ditë më parë. Çfarë do të ndodhë me Bashën më tej? Ramizi pasi u distancua nga Enveri, pavarësisht rrezikut që i vinte nga partia, pranoi pluralizmin dhe u largua dalëngadalë nga skena politike dhe publike.

Basha pas ndarjes nga e kaluara e PD-së rrezikon po aq që të largohet nga partia e Berishës, por me një aksiomë tjetër duke u përfshirë me frymën e re që ka krijuar dhe me ndihmën e faktorit ndërkombëtar, fillimisht në bashk-qeverisjen e majtë.

Të tjerët që do të bashkohen me Berishën do të përfundojnë si partia ose partitë që pretendojnë sot se mbrojnë figurën e Enverit. Berisha në këtë legjislaturë mund të krijojë në Kuvend një grup të ri parlamentar, por nëse vijon me aksione radikale, tani e tutje me distancimin e Bashës prej tij, është më e lehtë dhe mund t’i vijë shumë shpejt nga SHBA edhe goditja fatale.

Lulzim Bashës i ishte kërkuar nga SHBA që të mos e përfshinte Berishën në listën e deputetëve, por e refuzoi ofertën para zgjedhjeve. Pas zgjedhjeve të 25 prillit, Berisha u shpall “non-grata” nga DASH dhe Bashës iu kërkua sërish distancimi prej tij. Edhe kjo ofertë u refuzua, çka solli edhe reagimin e ambasadores Yuri Kim në oborrin e PD-së kur iu kujtoi demokratëve ‘barin’.

Kryetari i PD-së Lulzim Basha, siç edhe pranoi, përmes vendimit më të vështirë në karrierën politike, e përjashtoi Sali Berishën, pas një kërcënimi të fundit që mori në seli.

Para se Basha të merrte vendimin, Departamenti Amerikan i Shtetit kërcënoi të gjithë grupin parlamentar të PD-së, nëse do të përkrahte Berishën që të shkonte në Kuvend.

Sovraniteti i shkelur që pretendon Berisha lidhet pikërisht me këtë fakt. Ai beson se një parti duhet të lejohej të zgjedhte. Berisha ishte në dijeni të këtij fakti dhe madje edhe të ultimatumit të fundit, për përjashtimin e tij.

Tërheqja e Berishës pas presionit dhe së fundmi kërcënimit amerikan, si opsion i mundshëm, do të konsiderohej disfatë. Berisha zgjodhi të përjashtohej prej Bashës, për të vijuar i vetëm (me disa deputetë dhe përkrahësit në parti) betejën politike.

Ultimatumi Bashës i erdhi dy ditë para seancës së parë, kur më herët ishte vendosur që Berisha të ishte pjesë e PD-së.

Basha mori përsipër pasojat e vendimit të vështirë, ndonëse ka kërkuar më herët dorëheqjen e tij, që nuk i ishte pranuar nga Berisha. Vendimi i fundit personal i Bashës vjen i shoqëruar me rrezikun, për të sakrifikuar ose veten e tij, ose Berishën, me qëllimin e vetëm që të shpëtojë PD-ja dhe e ardhmja e saj perëndimore.

Prandaj, qartësisht pas këtyre zhvillimeve do të largohet dalëngadalë ose Berisha dhe në këtë rast do të shpëtojë PD-ja me Bashën, ose do të largohet ky i fundit dhe nga presioni ndërkombëtar do të mbetet Berisha, por do të asgjësohet Partia Demokratike.

Berisha tregoi edhe një herë se “funeralin” e tij politik nuk ka ndërmend ta veçojë nga Partia Demokratike.

Lulzim Basha, pas vendimit të befasishëm është marrë nën mbrojtje nga SHBA, dhe tani e tutje i duhet të udhëheqë një grup opozitar me frymë perëndimore për t’u ndarë një herë e mirë nga e kaluara komuniste, që të ringrihet dhe të forcohet e djathta shqiptare, para se të pretendojë rikthimin në pushtet.

Mes Berishës dhe rrezikut të shkrirjes së PD-së, dhe nga ana tjetër, vendimit të SHBA-së, Lulzim Basha, për këtë arsye zgjodhi partnerët ndërkombëtarë, si të vetmen alternativë për mbijetesë. Koha do të tregojë se Basha mori vendimin e duhur, ndonëse me vonesë.

Ashtu siç u premtua, Reforma në Drejtësi po prodhon “viktimat” e para. Pas Berishës, të njëjtin fat do të kenë edhe të tjerët që kanë dalë kundër projektit Amerikan në Shqipëri, thjesht për interesa personalë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN