Zbulohen të tjera detaje mbi krimin që ndodhi dje në fshatin Çerem të Tropojës, ku u vra me armë zjarri 50-vjeçari Isat Goci.
“News 24” raporton se shkak për sherrin është bërë një konflikt i çastit mes dy bashkëfshatarëve që më pas ka degjeneruar në përdorimin e armëve të zjarrit.
Pas konfliktit verbal, i ndjeri kishte shkuar në banesën e zjarrfikësit Astrit Ismajlisufaj, ku fillimisht është përballur me nënën e tij. Raportohet se ai e ka shtyrë me dhunë të ëmën e zjarrfikësit duke u përpjekur të hyjë forcërisht në banesë.
Pasi ka dalë në oborr dhe ka parë nënën të shtrirë në tokë,Astrit Ismajlisufaj i ka kërkuar Gocit që të largohet, por ky i fundit vijonte të kërkonte sqarime për sherrin që kishte nisur më parë mes tyre.
Mandej, Astrit Ismajlisufaj ka nxjerrë armën pistoletë duke e plagosur në këmbë 50-vjeçarin. Fatkeqësisht Goci nuk ka arritur t’i mbijetojë plagës së marrë dhe ka gjetur vdekjen rrugës për në spital.
Pas krimit autori është vetëdorëzuar në polici, ndërsa uniformat blu kanë sekuestruar edhe pistoletën me të cilën u krye vrasja.