Ish presidenti Bujar Nishani, ka konfirmuar pjesëmarrjen në takimin që ish-kryeministri Berisha pritet të mbajë pasditen e sotme në hotel “Rogner” me demkratët e bazës së kryeqytetit.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Nishani shprehet se do të bashkohet me demokratët e ndershëm dhe të vërtetë, në takimin e orës 18:00, me qëllim dhënien fund të një PD-je që sipas tij është peng e një regjimi të korruptuar majtist.
“Unë do të bashkohem me demokratët e ndershëm e të vërtetë Sot në Rogner, në 18:00! Për një PD të Bashkuar, të Fortë e Fituese ! Jo më PD, Peng i rregjimit të korruptuar majtist!”, shkruan Nishani në facebook.
Kujtojmë se ish-kryeministri Berisha pritet të nisë sot nga Tirana turin e asaj që ai e quan “Foltorja për një Parti Demokratike më të bashkuar, më të fortë dhe më të hapur”, me qëllim rikthimin e sovranitetit në PD.
Sipas Berisha, vendimi i Bashës për përjashtimin e tij pa respektuar statutin e partisë është një tregues i kapjes së PD-së dhe lëvizja e tij lidhet me rikthimin e sovranitetit në Partinë Demokratike.