Një ngjarje e rëndë tronditi mbrëmjen e djeshme Fierin, rreth orës 22:50 Elton Metaj (Benga) qëlloi për vdekje ish-bashkëshorten Sabrina Benga në fshatin Zhupan. Autori ka mundur të largohet, ndërsa policia po punon për kapjen e tij. Vëllai i viktimës, Armando Benga rrefeu ngjarjen për gazetarin Ervis Kuçi, teksa tha se ish-kunati ishte liruar nga burgu në muajin korrik.
Sipas tij, Eltoni e qëlloi motrën e tij duke ngrënë bukë.
“Ngjarja ndodhi tek pragu i derës. Motra sa kishte ardhur nga puna dhe kishte vajtur për të ngrënë bukë. Mamaja kishte dëgjuar derën, e kishte vënë re që nuk e kishte hapur dora ime, thjesht kishte ardhur aty. Kishte ardhur aty, ‘dil përjashta’. Në 20 korrik kishte dalë nga burgu. Nuk e di, fajin e kanë e gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar që nxjerrin të tillë njerëz kriminelë dhe që sot bëri hatanë e madhe.
Mua më tha nusja, ai më kishte kërkuar dhe mua për të më vrarë. Ai ishte një frikacak që të vriste nga pas. Trimi të del përballë. Jam i tronditur.
Motra dhe mamaja ishin bashkë. Ai kishte thënë të dalë pak motra, ‘ik’ i kishte thënë ajo ‘mos e bëj më atë gjë se njëherë e bëre’ që ndodhi 10 muaj më parë që u arrestua ai për këtë. Motrën e vrau kur po hante bukë, sa u kthye nga puna. Motra ndërroi jetë në vend, plumbi e kishte kapur në mushkëri, aq sa më thanë”, rrëfeu vëllai i viktimës
Elton Metaj ishte konfliktuar me bashkëshorten dhe familjen e saj një vit më parë, që prej asaj kohe ai edhe ishte divorcuar. Me 20 shtator 2020 Eltoni për më shumë se 5 orë e mbajti bashkëshorten dhe familjen e saj peng në shtepinë e babait të kësaj të fundit dhe u desh nderhyrja e RENEA-s dhe FNSH për ta liruar.
Me 22 shtator të vitit të kaluar, 31-vjeçari nga Peshtan Bregasi, Elton Meta (Benga) u paraqit në gjykatën e Fierit me akuzat “Armëmbajtje pa leje” , “Kundërshtim i punonjësit të policisë” dhe “Dhunë në familje”.