MENU
klinika

Reduktimi i vjedhjeve e nënfaturimeve të ujit

ERRU: Ujësjellësit të kenë prioritet instalimin e ujëmatësve

05.09.2021 - 13:15

Shoqëritë e ujësjellës kanalizimeve duhet të kenë prioritet instalimin e ujëmatësve në zona ku ka mundësi shpërdorimi të madh të ujit, që lidhen kryesisht me banesat një katëshe dhe sidomos në zonat rurale. Rekomandimi vjen nga Enti Rregullator i Ujit, për shkak të treguesve shqetësues në Bilancin e Ujit për vitin 2020, që sapo është publikuar.

Sipas dokumentit, humbjet e dukshme, ku bëjnë pjesë pikërisht vjedhjet, nënfaturimet dhe lidhjet e paligjshme përbëjnë mesatarisht 48.9% të humbjeve të përgjithshme, ndërkohë që pjesa tjetër shkaktohet si pasojë e rrjeteve të amortizuar. Sipas ERRU-së, krahasuar me vitin 2019, niveli i humbjeve nga lidhjet e paligjshme në transmetim dhe shpërndarje paraqet tendencë në përmirësim, por që është në vlera të papranueshme dhe i mbivlerësuar, çka tregon se procesi i eliminimit të tyre duhet të jetë në fokusin e çdo shoqërie.

Paralelisht, të dhënat e mbledhura dhe të përpunuara vit treguan se niveli i “Ujit Pa të Ardhura” është rritur me 1.6%, duke arritu në 65.44%. Për të përmirësuar këta tregues, përveç instalimit të ujëmatësve në zonat ku shpërdorimi i ujit është më i madh është e nevojshme, rekomandon edhe plotësimi me ujëmatës të rrjeteve shpërndarëse, në mënyrë që të garantohet një faturim korrekt i konsumatorëve dhe përmirësimi i menaxhimit të kërkesës për ujë.

Gjithashtu, sipas ERRU-së, shoqëritë të cilat nuk kanë të instaluar ujëmatësa në prodhim dhe konsumatorë duhet të planifikojnë në Planet e Biznesit investime mbi ujëmatësit.