MENU
klinika

Mbahet në Turqi

Filmi ‘Bolero në vilën e pleqve’ pjesë e Balkan Panorama Festival

25.09.2021 - 14:37

Filmi shqiptar “Bolero në vilën e pleqve” do të jetë pjesë e përzgjedhjes zyrtare të Balkan Panorama Festival që mbahet në Izmir të Turqisë nga data 27 shtator deri më 3 tetor 2021.

Filmi në regji të Spartak Pecanit dhe skenar të Linda Fejzaj pati premierën fizike më 26 gusht në PriFest në Prishtinë.

Balkan Panorama Festival është një festival i njohur që promovon filmin ballkanik. Ky festival i përkrahur edhe nga Ministria e shtetit turk mban sivjet edicionin e 7-të.

Në këtë film luajnë aktorët si: Robert Ndrenika, Margarita Xhepa, Gentiana Ramadani, Olta Daku, Olta Gixhari, Ledjon Zoi dhe Afrim Muçaj.

DoP është Latif Hasolli ndërsa kostumografia është realizuar nga Gerta Oparaku.

Filmi është një prodhim i shtëpisë kinematografike ‘Eclipse SA Film Production’ dhe është financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë.

Filmi me regji nga Spartak Pecani “Bolero në vilën e pleqve” ka fituar çmimin “Filmi më i mirë” në Paris Play International Film Festival.

Filmi shqiptar ka marrë edhe një tjetër çmim, në “Toronto International Women Film Festival”.

Pjesëmarrës deri më tani në festivale të ndryshme të filmit në botë, çmimi për skenarin në festivalin e filmit në Kanada shkoi për “Bolero në vilën e pleqve”. / KultPlus.com