Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi u shpreh sot se qeveria shqiptare ka firmosur një marrëveshje me programin e zhvillimit të Kombeve të Bashkuara që ka në fokus decentralizimin e pushtetit vendor dhe ndihmën e bashkive përmes donatorëve për modernizimin dhe shërbimet.
“Sot miratuam në mbledhjen e radhës një marrëveshje mes programit të zhvillimit të Kombeve të Bashkuara dhe qeverisë shqiptare, instrument me sukses prej vitit 2013 kur ne filluam ta dizenjojmë dhe më pas ta implementojmë reformën territoriale dhe të gjithë reformën e decentralizimin drejt pushtetit vendor dhe ky program është i tretë “Start 3” është një instrument që bashkon disa donatorë që janë të përfshirë në reformën e decentralizimit dhe modernizimin, kanë krijuar një fond të përbashkët. Donatorët janë BE, Suedia dhe Zvicra, së bashku me qeverinë dhe PNUD-in.
Fondi do të shkojë për të modernizuar shërbimet në nivel lokal. Atë revolucion që bëmë me qeverisjen qendrore duam ta çojmë në qeverisjen vendore dhe një pjesë e fondit do të shkojë për këtë dhe do të ketë instrumente për matjen e performancës, që në bazë të performancës së cdo bashkie, atëherë edhe vëmendja e qeverisë do të jetë asimetrike do të jetë duke u nisur nga niveli i performancës. Suksesi i kësaj marrëveshje është i garantuar, pasi kështu ka qenë edhe në dy marrëveshjet e para që kemi bërë më ketë instrument” deklaroi ai.