MENU
klinika

Analiza

Gjekmarkaj: Promovimi i dosjes “184” si mesazh publik. A mund të ketë bashkëpunim me opozitën duke promovuar “yjet” Damin e Ulsi?

04.09.2021 - 13:02

AGRON GJEKMARKAJ

Shqipëria gëlon nga dosjet. Gjithëndoresh janë ato. Pirgu i tyre, tash 30 vjet e para kësaj kohe, është më i lartë se kulla te stadiumi i ri në Tiranë.

Por ajo me numër “184”, si emërtim avioni apo luftanijeje, u bë e famshme në Europë nga tabloidi gjerman “Bild” për korrupsionin zgjedhor në vendin tonë. Habiti e ngrata për mënyrën sesi e gjithë qeveria e “Rilindjes” zhytej në të deri nën sqetulla për të frikësuar qytetarët e marrë vota nën siglën e të fortëve, “çunave problematikë” dhe vetë shtetit me policë, xhandarë e zaptije që rrinë zyrave të administratës.

Premtoi “drejtësia e re” që do merrej me të, po u dorëzua para saj duke kompromentuar rëndë imazhin e saj si e “pavarur”.

Aty brenda ishte Kryeministri më i kujdesshëm në fjalë, por lëvdonjës e përgëzues për trimoshët e tij gjithsesi, por shkëlqimin më të madh në aktivitet e patën ministrat Tahiri e Gjiknuri e ai që dje mori frenat e drejtësisë, punëtori i palodhur i partisë, zoti Ulsi e ca të tjerë me rang më të ulët.

Te tre në biseda të shpenguara plot zell e hare, premtonin, kërcënonin e jepnin sihariqe, duke dënuar me vdekje zgjedhjet e lira e të ndershme.

Përbetohej Rama se do e shqyrtonte drejtësia këtë shëmti (edhe ky një paradoks tautologjik më vete se ai ishte regjisori dhe fjala i duhej sa për të kaluar radhën), premtonin ndërkombëtarët, e kërkonte opozita me protesta, por ja jemi në piken e metamorfozës si dëshmi që krimi zgjedhor të siguron karrierë.

Dje, dosja “184” u promovua me shumë krenari, mburrje dhe sfidë nga Edi Rama. Të gjithë dhunuesit e votës u ndien të nderuar e të respektuar dhe të nxitur për të ardhmen.

Lajmi u ra si melhem mbi plagë. Damian Gjiknuri u bë Sekretar i Përgjithshëm dhe drejtues politik i Elbasanit, duke i zënë vendin Taulant Ballës, i cili i përket brezit të politikanëve socialistë para “Rilindje”, tanimë i zënë në kurth dhe i shtyrë në marxhine, nuk duroi pa ia përmendur “tërmetin” e dosjes “184” Gjiknurit.

Sot, PS mund të konsiderohet një parti lokaliste e “bregut”.

Po kaq u gradua Ulsi Manja si ministër Drejtësie, i cili në tekstet e dosjes shfaqej mjaft aktiv e sokolan, shto këtu edhe drejtimin e komisioneve komike e antikushtetuese.

Që kjo do ishte një qeveri shegertësh, shërbëtorësh, byrekblerësish, duke sharruar çdo individualitet politik të mbetur pas sosjes me një fare peshe brenda PS-së si Majko, Braçe, Balla, Klosi, më parë Bushati, edhe ai tani kokulur e plot shpresë, mos e merr Ulsiu si këshilltar kjo merrej me mend, por jo deri aty sa të parashikohej triumfi i dosjes “184”.

Dje përdora termin “harem politik”, sigurisht që nuk e kisha atë në kuptimin klasik siç e përdornin sulltanët otomanë apo siç nxituan ta interpretonin sejmenët e agjitpropit, por vetëm si koncept politik pa dallime gjinore, pa pasur aspak qëllim të fyej apo komentoj zonjat e qeverisë në etikën morale. Nuk më mungon ndjesa për to nëse kështu e kanë lexuar.

Gjykimi shkon mbi sjelljen politike publike, atë të bindjes dhe nënshtrimit pa kushte, atë të ambicies pa fre, e cila i shndërron në komikë, atë të pjesëmarrjes vullnetare në shkatërrimin e demokracisë, në vjedhjen e zgjedhjeve, në vrasjen e ekonomisë, në shpopullimin e vendit, në votime moniste, në propagandë që themelohet mbi gënjeshtrën e rritet me ritmet e saj, në nxitjen e korrupsionit e tarafit e plot karakteristika shënjuese të këtyre viteve që nuk rilindëm.

Kryeministri u shpreh të enjten në “Opinion” për bashkëpunimin me opozitën pa vija të kuqe.

E gjitha një retorikë boshe kur sapo ka emëruar në postet më të lartë dy “yjet” e dosjes famëkeqe, kësaj “kryevepre” të Rilindjes, Damian Gjiknurin dhe Ulsi Manjën, të cilët kanë kontribuar më shumë se kushdo për të dhunuar votën dhe proceset e votimit. Ndaj është e vetëkuptueshme që Rama do të bëjë simpatikun pasi ka bërë “hajdutin” me rrenën që bashkon dy skajet e vektorit.

Këto dy karriera, ose janë një provokim edhe për ndërkombëtarët, prej të cilëve pritet një reagim, ose, ose, ata përvijohen si miratues dhe palë. Nuk mjafton më gishti që tregon hajdutin.

Nuk mjafton më ekspozimi i dosjes “184” si shembull kur më 25 prill gjithë Shqipëria u bë dosje “184” dhe punëtorët e saj bëhen ministra. Ky nuk është më vetëm një problem i opozitës, por edhe i shoqërisë, i elitave dhe i mediave.

Të gjithë bashkë, ose duhet ta zgjidhim, ose duhet të bëjmë kinse jetojmë në një vend normal duke e nisur udhëtimin tonë nga hipokrizia për të mbërritur në frikë!!