MENU
klinika

Vodhi 10 milionë lekë barna të pacientëve

Gjykata vendos masën e sigurisë për infermierin

03.09.2021 - 11:59

Gjykata e ka lënë në burg infermierin e Urgjencës së Korçës, Nikolin Ciko. 41-vjeçari u arrestua pak ditë më parë në operacionin policor të koduar “Farmacisti”.

Ciko dyshohet se ka vjedhur një sasi të konsiderueshme medikamentesh e pajisjesh mjekësore me vlerë mbi 1.000.000 lekë.

OPERACIONI

Ishin dy episode ku infermieri ishte përfshirë në vjedhjen e barnave, që përdoren për të sëmurët me sëmundje të rënda, si kanceri apo ata me koronavirus. Njëri prej episodeve është regjistruar në muajin mars të këtij viti, ndërsa tjetri në muajin gusht.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë, në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin e dy ngjarjeve të ndodhura më datë 08.03.2021 dhe 30.08.2021, ku në farmacinë e Spitalit Rajonal Korçë, u vodh një sasi e konsiderueshme medikamentesh e pajisjesh mjekësore me vlerë mbi 1.000.000 lekë, finalizuan me sukses operacionin e koduar “Farmacia”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i autorit të dyshuar shtetasit N. C., 43 vjeç, banues në Korçë (me detyrë infermier pranë Urgjencës së Spitalit Korçë)”, sqaroi Policia. Policia sqaroi se ilaçet përdoreshin për pacientët me sëmundje tumorale dhe ata të infektuar me COVID-19.

“Nga veprimet hetimore të kryera rezultoi se ky shtetas kishte vjedhur në farmacinë e Spitalit, një sasi medikamentesh dhe pajisjesh mjekësore, të cilat shërbenin për trajtimin e pacientëve me COVID-19 dhe me sëmundje tumorale, ku në cilësinë e provës materiale iu gjet e sekuestrua sasia e medikamenteve”, thuhet më tej në dëshminë e tij.

DËSHMIA

Infermieri i arrestuar nga Policia e Korçës për vjedhjen e barnave dhe pajisjeve për personat me sëmundje tumorale, ka pranuar akuzën, duke deklaruar edhe motivin se pse ndërmori një akt të tillë. Infermieri Nikolin Ciko ka thënë se kishte borxhe dhe kredinë e shtëpisë për të shlyer, ndaj ka vjedhur ilaçet e spitalit.

SKEMA

Çdo infermier duhet të paraqesë recetën e lëshuar nga mjeku për të tërhequr barnat nga farmacia e spitalit, por 41-vjeçari Ciko kishte zgjedhur një rrugë më të shkurtër, duke thyer dritaren dhe duke i vjedhur barnat, për të cilat shteti paguan për kurimin e pacientëve nëpër spitale, vlera e të cilëve kap shifrën e 10 milionë lekëve të vjetra.

Policia ka sekuestruar edhe tri pako me ilaçet e vjedhura nga infermieri. Infermieri ofronte edhe shërbim në shtëpi për personat me koronavirus, kundrejt një pagese prej 5000 lekësh në ditë, përveç ilaçeve që shkonin deri në 100.000 lekë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprën penale “Vjedhja”, me pasoja të rënda.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Ilaçet e vjedhura ua shiste pacientëve me COVID

‘Kisha borxhe dhe kredi’, zbardhet dëshmia e infermierit në Korçë

Vodhi ilaçet dhe pajisjet mjekësore

Arrestohet infermieri i Spitalit të Korçës