Vaksinimi me detyrim si kusht për t’u futur në auditorë, fillimisht artikuluar nga kreu i qeverisë e më pas nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, nuk do të merret në konsideratë nga titullarët e universiteteve.
Dy javë e gjysmë para nisjes së vitit të ri akademik, IAL-të janë lënë në terr informativ për mënyrën se si do të zhvillohet mësimi, online sikundër vitin e kaluar, apo në fakultete. Nisur nga ky fakt, rektorët duket se kanë marrë në dorë vetë fatin e institucionit që drejtojnë, së pari duke i dalë kundër vendimit të qeverisë që lë jashtë pedagogë e studentë të pavaksinuar e së dyti duke adaptuar metodat e mësimdhënies sipas situatës pandemike.
QËNDRIMI
Rektorë të universiteteve publike e private u bënë bashkë dje për të diskutuar se si do të nisë ky vit akademik, pas një viti e gjysmë të zhvilluar tërësisht online, me përjashtim të praktikave dhe diplomimeve në auditorë, por me kushte të rrepta masash anti-Covid. Kreu i universitetit më të madh në vend, atij të Tiranës, Artan Hoxha, vijon të këmbëngulë që vaksinimi nuk është me detyrim, por vullnetar, pavarësisht apeleve të përsëritura nga zyrtarët më të lartë të qeverisë për vaksinim në rast se duan të futen në auditorë.
“Pavarësisht deklaratave politike, nuk është një proces i detyruar. Është një proces që bazohet mbi vullnet”, deklaroi Hoxha në takimin e një dite më parë, ndërsa më herët është shprehur gjithashtu se universitetet janë të pavarura dhe si të tilla, nuk varen nga qeveria. Ndryshe mendon Arben Gjata, Rektor i Universitetit të Mjekësisë, njëherësh pjesë e ekipit të task-forcës anti-Covid që kërkon medoemos që urdhri për vaksinimin me detyrim t’i vijë vetëm nga qeveria dhe jo nga Komiteti Teknik i Ekspertëve. “Nuk mund të veprojë nga ana ligjore universiteti me vendimin e Komitetit Teknik të anti-Covidit, i cili faktikisht është një komision këshillimor, nuk merr vendime. Universitetet nuk mund të zbatojnë urdhra të komiteteve teknike. Universitetet mund të zbatojnë vendime qeverie”.
ONLINE APO NË AUDITOR
Në kushtet kur studentët nuk mund të detyrohen të vaksinohen, do të veprohet njëjtë si vitin e kaluar pandemik. Mësim online për leksionet, ndërsa praktikat e detyrueshme apo punët e laboratorit dhe provimet në auditorë, kundrejt respektimit të masave. Këtë lanë të kuptohet rektorët e universiteteve në takimin e organizuara ditën e djeshme në ambientet e Universitetit Politeknik. Ndryshe nga shkollat, për të cilat u hartua një rregullore me masa të reja, universitetet do t’i referohen së vjetrës.
“Përpara një viti e ca ne kemi përgatitur një rregullore anti-Covid. Çdo universitet besoj e ka një të tillë të aprovuar nga senati akademik. Kjo është arsyeja që ne kemi vendosur që leksionet t’i vazhdojmë online. praktikat do t’i bëjmë sipas rregullores, me jo më shumë se dhjetë studentë. Natyrisht do të punohet dhe me dy turne”, bëri me dije Rektori i Universitetit të Mjekësisë. Edhe ai i Tiranës ka deklaruar më herët se pavarësisht vendimeve që do të marrë qeveria, për t’i hapur ose jo auditorët, ata do të sigurohen që asnjë student të mos mbetet pa marrë leksionet.
“Ne nuk privojmë asnjë student nga e drejta për arsimim, sepse kjo është puna jonë. Nuk duhet të flasim me supozime. Do të flasim në varësi të vendimmarrjes së Komitetit Teknik të Ekspertëve. Ne do t’i marrim të gjitha masat që asnjë student të mos humbasë mësimet në UT. Institucionet e arsimit të lartë janë institucione autonome, të cilat nuk varen as nga qeveria, as nga institucione të tjera”. Javën që shkoi ministrja e Arsimit, Evis Kushi, me fjalën e Kryeministrit dhe Komitetit të Ekspertëve kishte përgatitur një videomesazh sensibilizimi për vaksinimin e pedagogëve e studentëve, si të vetmen formë për t’iu kthyer mësimit norma