Presidenti Ilir Meta ka tashmë në dorë shkresën e Sekretarit të Përgjithshëm të PS, Damian Gjiknuri, i cili kërkon që Edi Rama të dekretohet si kryeministër i Shqipërisë, i propozuar nga Partia Socialiste.
Duke qenë se kjo forcë politike arriti të fitonte zgjedhjet e 25 prillit, ka të drejtën dhe të dërgojë në Presidencë emrin e kryeministrit, shkruan newsbomb.al. Paraditen e sotme, bëhet me dije se shkresa e Damian Gjiknurit ka mbërritur në tryezën e Ilir Metës.
Sipas rregullores, Sekretari i Përgjithshëm i partisë që fiton zgjedhjet çon në Presidencë emrin e mandatarit për kryeministër, fizikisht ose në mënyrë elektronike. Nuk dihet nëse vetë Gjiknuri në këtë rast, ka shkuar fizikisht te Meta apo e ka përcejllë shkrësën në rrugë të tjera.
Shkresa vjen dy ditë pasi Edi Rama prezantoi Qeverinë e re, e cila do të drejtojë vendin dhe për 4 vite të tjera.