MENU
klinika

"PD ka nevojë për flukse të reja, partia duhet të hapet"

Ish-kryeministri Berisha nis nesër turin e takimeve me demokratët

15.09.2021 - 12:11

Ish-kryedemokrati Sali Berisha do të nisë nesër turin e takimeve me demokratët për të prezantuar platformën e tij që e ka quajtur për rikthimin e sovranitetit të PD-së. Takimi i parë i Berishës me bazën do të jetë në kryeqytet, ndërsa do të vijojë më pas në të gjithë Shqipërinë.

Mësohet se grupi i punës që po organizon takimet e liderit historik të PD-së ka prenotuar dy salla konferencash, të cilat bashkohen për të zhvilluar takimin. Ndërsa në daljen e fundit televizive, ish-kryedemokrati u shpreh se Partia Demokratike ka nevojë të hapet dhe se kryedemokrati aktual se mund dot Edi Ramën në zgjedhje.

“Basha vepron për interesin e tij. Basha e ka marrë këtë vendim për pazar ose interes personal. Takimi im i parë me anëtarësinë e PDsë do jetë në Tiranë dhe më pas në të gjithë Shqipërinë. Lëvizja ime ka si synim që të vendoset dinjiteti i çdo anëtari të PD-së, të ketë edhe hapje në Partinë Demokratike, patjetër. PD i ka jetike flukset e reja, që të vijnë të rinj e të reja, por edhe burra e gra. Ka forca PD, në Këshill Kombëtar, Parlament, duhet t’i hapet frymëmarrja Partisë Demokratike. Lëvizja ime është për bashkimin dhe zmadhimin e PDsë”, deklaroi Berisha dy ditë më parë.

REAGIMET

Ndërkohë, nga ana tjetër, deputeti i PD-së në Qarkun e Elbasanit, Dashnor Sula, gjatë një interviste dje për “News 24”, mbrojti vendimin e Bashës. Sipas Sulës, mënyra e vendimmarrjes mund të ketë rezerva, por ajo sipas tij e shpëtonte PD-në nga përçarja dhe nga rreziku që të kthehej në një organizatë. “Nga pikëpamja e procedurës lë për të dëshiruar, por nga pikëpamja e ruajtjes dhe ekzistencës së PD-së është për t’u falënderuar zoti Basha.

Për mua nëse do të hidhej në votim, të jeni të sigurt që nuk do të realizohej ky vendim. Por nëse bëhej kjo, do të kthehej PD në një organizatë. Pse e them këtë? E them se nga komunikimet e Reeker, PD do të ishte në një kolaps të thellë. Ndjej keqardhje si demokrat, si person që e admiroj zotin Berisha, por kjo ishte në të mirë të PD-së”, tha Sula teksa theksoi se, sipas tij, nëse PD nuk do ta përjashtonte Berishën, rrezikonte të kthehej në një organizatë. Sula, që rikthehet në Parlament pas një periudhe 8-vjeçare shkëputjeje, thotë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë garant i demokracisë në botë. Në këtë kuadër, ai u shpreh se edhe nëse Basha, që është aktualisht kryetari i PD-së, do të ishte shpallur “non grata”, qëndrimi do të ishte i njëjtë, që të lironte rrugën.

“SHBA dihet kush është, janë garanti i demokracisë në botë. Pa diskutim unë s’e lidh me emra konkretë, por edhe sikur sot kryetari Basha, i cili është kryetari ynë, nëse do të ndodhte të ishte person ‘non grata’, unë do të isha i pari që do të kërkoja që ai të hapte rrugën, sepse s’janë individët përpara partisë. Unë jam i bindur që SHBA-ja, siç flitet, ka një listë tjetër të personave ‘non grata’, edhe brenda PS-së”, vijoi Sula.

Ish-kreu i PD-së Gjirokastër, Roland Bejko, është rreshtuar krah Bashës sa i përket vendimit për të përjashtuar Sali Berishën nga Grupi Parlamentar. Bejko tha dje se Basha ishte nën presion dhe se mënyra se si e mori vendimin ishte e diskutueshme, por nuk shkeli statutin.

“Mënyra si u mor vendimi natyrisht ka vend për kritika, por vendimi në vetvete ka qenë i duhuri. Është gjendur në ato rrethana për shkak të presionit që ushtroi Ambasada amerikane për etiketën ‘non grata’ të Berishës. Basha mori vendimin e duhur; si e mori, i diskutueshëm. Ka një klauzolë në Statut, nuk është shkelur Statuti, i jep të drejtë kryetarit të PD-së të bëjë pezullime të përkohshme. Basha është në kohë të ratifikojë në kryesinë e PD-së apo Grupi Parlamentar dhe mbyllet me kaq. Më habit reagimi i Berishës që në momentin që u përjashtua bëri një reagim që më ka çuditur. E ka etiketuar Bashën si njeri të Soros, njeri të lidhur me Ramën. Tha se do të dalë në bazë, përmendi edhe sovranitetin që ka humbur PD-ja prej Bashës. Por a e ka të drejtën morale Berisha të shprehet kështu? Them se jo. Kishte kohën e mjaftueshme ta bënte që ditën pas zgjedhjeve dhe kur nisi procesi i zgjedhjes së kryetarit të PD-së”, tha Bejko.

Përjashtimi i Berishës, Nishani: Thikë pas shpine, Basha ka projekt anti-PD e antishqiptar

Ish-Presidenti Bujar Nishani e quan sjelljen e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, dhe vendimin për përjashtimin nga Grupi Parlamentar të Sali Berishës një “thikë pas shpine ndaj PD dhe Shqipërisë”. Në një postim në rrjetet sociale, Nishani i quan si “teza të Edi Ramës se L. Bashën e detyruan SHBA për ta përjashtuar Sali Berishën nga PD dhe se ai nuk kishte rrugë tjetër. Këto teza, shprehet Nishani, janë “krejtësisht spekulative dhe fasada majtiste për të mbuluar projektin e asgjësimit të PD-së. Projekti antishqiptar i dyshes Rama-Basha, për asgjësimin e PD-së është sfida më e madhe për shoqërinë sot, është beteja më e madhe politike për t’i shërbyer së nesërmes së Shqipërisë!”, shprehet në postimin e tij Bujar Nishani.

Ish-Presidenti kujton se Basha ka pasur edhe herë të tjera “ultimatume nga SHBA” për të mos djegur mandatet dhe mos braktisur zgjedhjet lokale, por nuk i ka dëgjuar. Ndërkohë, shtoi se shqiptarët dhe demokratët kanë sfidën më të madhe përpara.

“Thikat pas shpine ndaj Partisë Demokratike janë në të vërtetë, thika në zemër për Shqipërinë! Misioni që i është ngarkuar L. Bashës prej pushtetit më të korruptuar e të inkriminuar në Shqipërinë e 30 viteve të fundit, është projekti më kriminal anti-PD e antidemokratik, që prej atij të tentuar në 1997. PD është një prej institucioneve kryesore të shoqërisë shqiptare, është një mekanizëm i domosdoshëm që sistemi politik të funksionojë normalisht, është mundësia për të pasur alternativën e një modeli tjetër qeverisës. Të kapësh e të mbash peng, përmes metodave gangsteriste, pushtetin dhe procesin vendimmarrës mbi Partinë Demokratike, për t’i shërbyer projektit antishqiptar të asgjësimit të alternativës qeverisëse, është po aq kriminale sa korrupsioni, kriminaliteti, shkatërrimi i institucioneve, varfërimi i shqiptarëve, prej qeverisjes. Asgjësimi i PD-së është asgjësimi i opozitës sot, është asgjësimi i alternativës së qeverisjes ndryshe nesër, është minimi i demokracisë, është thikë në zemër për Shqipërinë. Tezat e Edi Ramës se L. Bashën e detyruan SHBA për ta përjashtuar Sali Berishën nga PD dhe se ai nuk kishte rrugë tjetër, janë teza krejtësisht spekulative dhe fasada majtiste për të mbuluar projektin e asgjësimit të PD-së”, tha Nishani.