MENU
klinika

Nga Alfred Peza

Justifikimet që po e bëjnë Sali Berishën qesharak!

11.09.2021 - 17:54

Pas vendimit të Lulzim Bashës për largimin e Sali Berishës nga Grupi Parlmentar i PD, për shkak të shpalljes së tij “non grata” nga SHBA, ka nisur një fushatë e paparë propogandistike. Vetë “lideri historik”, mediat pranë tij, gazetarët e analistët që e mbështesin, po zhyten me një zell të pashoqe në një vorbull justifikimesh, të cilat në vend që ta nxjerrin një ditë atë në breg, po e çojnë me shpejtësi drejt një fundi jo vetëm pa lavdi, por edhe pa dinjitet. Sa më shumë flasin e bërtasin publikisht dhe sa më shumë rreken ti mbushin mendjen shqiptarëve për shenjtërinë e Sali Berishës, aq më shumë po ua fyejnë inteligjencën. Sepse asnjë prej tyre, duke nisur nga i pari dhe deri tek më i fundit që po e mbështet, nuk duan që ta shohin realitetin në sy. Nuk duan që ta pranojnë të vërtetën e thjeshtë, se: Koha e Sali Berishës, MBAROI. Nga 10 shtatori 2021, ka nisur një epokë e re për Shqipërinë, që i dha fund tranzicionit 30 vjeçar post komunist.

Meqë ai nuk do që ta besojë këtë. Meqë ai nuk do ta kuptojë këtë. Meqë ai nuk do që të iki. Meqë ai do që të kapet me thonj pas kangjellave të kohës. Meqë ai do që ta ndalojë rrotën e historisë. Meqë ai do që të shtrihet barkas, për të mos ia hapur rrugën të ardhmes. Meqë ai do që të ndërtojë barrikada të reja, për ta hedhur në humnerë makinën e kohës, mendjet ende të pandriçuara e nostalgjike duhet të shkunden e të kthjellohen. Sali Berisha nuk mund të shpikë dot në mes të Europës, pas 30 vjetësh nga rënia e Murit të Berlinit, një diktaturë moniste në pluralizëm. Një sistem politik në demokraci, ku shqiptarët ftohen të votojnë, por ai të qëndrojë përjetësisht në majë të sistemit. E çfarëdo që të bëjë dhe çdo gjë që të ndodhë, e vetmja që nuk mund të ndryshoka dot kurrë në këtë vend, qenkërka qenia e tij përjetësisht në krye të opozitës sot dhe nesër, qershia mbi tortën e pushtetit!

Asnjë justifikim nuk i pi më ujë. Asnjë deklaratë nuk i bën më punë. Asnjë skenar nuk mund ta shpëtojë dot nga fati i tij. Asnjë intrigë nuk mund ta ringjallë dot më politikisht. Asnjë manovër, nuk mund ta rikthejë dot më sërisht, në skenë. Asnjë taktikë nuk e zhbën dot këtë realitet të ri që ka nisur për të, për opozitën dhe për Shqipërinë vetë. Asnjë strategji sado diabolike, siç di të thuri veç ai, nuk mund ta përsërisin dot më historinë e shkuar. E sigurtë është se Sali Berisha, nuk mund të RILINDË dot më politikisht! E gjitha kjo nuk ka lidhje fare as me Lulzim Bashën, as me Yuri Kim, as me Edi Ramën, as me George Soros, as me Antony Blinken, as me Joe Biden, as me kufijtë e Kosovës, as me qytetarin digjital, as me syri.net, as me fëmijët, as me aleatët e tij më të ngushtë politikë, as me militantët, as me simpatizantët, as me miqtë dhe as me armiqtë. E gjitha kjo që i ndodhi, ka lidhje vetëm me shqiptarët. Me të ardhmen e tyre. E cila nuk mund të mbahet dot më peng, nga ambicja e pashuar për pushtet, e një njeriu të vetëm. Qoftë ai edhe Sali Ram Berisha.

Qenia në kohën dhe vendin e duhur, e bënë atë dikur shpresën e këtij vendi, për të lënë pas një epokë, që i mbajti të izoluar nga bota për 45 vjet. Qenia e Sali Berishës sot, në kohën dhe vendin e gabuar, e kanë bërë shkurajimin e kësaj gjenerate për të ardhmen. Lëvizja e dhjetorit 1990 hodhi në koshin e historisë, nga Ramiz Alia e Nexhmije Hoxha dhe gjithë të tjerët me radhë. Azem Hajdari u bë atëherë “sebepi”, ndërsa sot ironikisht, Lulzim Basha. Këto janë ligjet cinike të historisë. Kush nuk do të mësojë, e pëson edhe më shumë se të tjerët, prej saj. Sali Berisha nuk mund ti shpëtojë dot fatit të përcaktuar nga historia. Sikundër nuk i ka shpëtuar asaj, asnjë lider tjetër botëror ku e ku për nga kontributet e tyre, për popujt dhe njerëzimin. Gjithkush e kupton se Sali Berisha nuk ikën dot në shtëpi me këmbët e veta, me dëshirën e vet, me vullnetin e vet, me koshiencën e vet, sepse për nga mënyra sesi e ka ushtruar pushtetin, nuk është i lirë që ta bëjë këtë. Por ky është halli i tij personal dhe jo i shqiptarëve, ndaj, duhet ta zgjidhi me veten.

Përrallat që ka filluar të tregojë ekran më ekran çdo darkë, se ndaj tij ka një konspiracion të madh herë në Tiranë e herë në Ballkan, herë në Europë e herë në SHBA, herë në tokë e herë në qiell, nuk pijnë më ujë. Ato janë thjeshtë ca justifikime për të gënjyer veten. Shqiptarët kanë kohë që janë zgjuar nga gjumi, ndaj nuk mund tua hedhë dot më askush. E shumta ato po gajasen, duke bërë përfundimisht qesharak, vetë Sali Berishën!