‘Vendim prej skuthi të Bashës’ e ka cilësuar ish-anëtari i kryesisë së PD-së, Fatbardh Kadilli përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar. Me një postim në Facebook, Kadilli thotë se PD humbi liderin dhe ish-liderin, ndërsa të dy, Bashën dhe Berishën, i cilëson si njerëz fals, pa moral e parime. Sipas Kadillit, vendimi i Bashës ishte i bazuar në llogari, për të mbajtur karrigen e kryetarit, jo për të ardhmen e PD.
“Fundi i KryetaroKracise! PD-ja humbi edhe liderin, edhe ish-liderin. Në PD ndodhi një “atvrasje” dhe një “vetëvrasje”. Te dyja janë fallco. Pa thelb moral. Pa parime. Demokracia nuk fitoi asgjë. Opozita nuk fitoi asgjë. Me dakordësi, apo pa dakordësi mes tyre, kryetari dhe ish kryetari, na dhanë provën se si nuk funksionon partia, por funksionojnë llogaritë e atyre që kanë vulën e partisë dhe listën e anëtarësisë. Vendimi prej skuthi, në çastet e fundit, i Bashës është bazuar mbi llogari, jo mbi parime. Vendim është i llogaritur. Ky vendim bëhet për të shpëtuar karrierën e kryetarit, por jo të ardhmen e PD”, shkruan Kadilli.
Kadilli i bën thirrje demokratëve që të mos qëndrojnë “spektatorë”, por të reagojnë pasi “na duhet një politikë e re, një opozitë e re, që ta krijojmë vetë”.
“Nga ky vendim del vetëm një mësim: njerëz mos qëndroni spektatorë! Nuk mund të jenë disa individë që vendosin për ne. Nuk mundet që fatet e opozitës të varen nga llogaritë e disa individëve. Nuk na duhen Vendime që na vijnë si Urdhëra. Nuk zgjidhin asgjë. Vendime qe vijnë si llogari e dikujt tjetër. Vendimet na takojnë ne. Të gjithëve. Njerëz të fitojmë sovranitetin! Të vendosim vetë! Na duhet një politikë e re, një opozitë re, që ta krijojmë vetë”, thekson Kadilli.
Duke e cilësuar si një nga momentet më të vështira për të, Lulzim Basha bëri me dije mbrëmjen e djeshme se kishte vendosur largimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar i PD-së, deri sa të zbardhet çështja në rrugë ligjore, referuar betejës ligjore të nisur nga ish-kryeministri ndaj Sekretarit të Shtetit të SHBA-ve, Antony Blinken. Lulzim Basha tha se largimi i Sali Berishës është në interes të Partisë Demokratike dhe në emër të saj po e bën këtë sakrificë. Basha e mori këtë vendim pa u konsultuar me strukturat e tjera të partisë.
Menjëherë pas kësaj, Berisha reagoi duke thënë se Basha duhej të kishte dhënë 5 herë dorëheqjen, para se të merrte vendimin për përjashtimin e tij nga grupi parlamentar i PD. tha se i qëndron paralajmërimit që kishte bërë ditë më parë se nëse përjashtohet pa prova do të bëjë çdo gjë për ta rimarrë partinë që e themeloi vetë. Teksa nënvizoi se do të bëjë gjithçka që t’i rikthejë sovranitetin PD, madje ndërsa u pyet nëse do të rimarrë drejtimin e PD Berisha tha se është i hapur për çdo posti kushtetues.
Vendimi i Bashës ka nxitur joi pak tensione në PD, ku janë disa deputetë që i kanë dalë kundër atij si Tritan Shehu, Albana Vokshi, Luçiano Boçi, Flamur Noka e Bujar Leskaj.