Ish-kandidati për kryetar të PD-së, Fatbardh Kadilli u shpreh i bindur sonte në Radarin Informativ në ABC përballë gazetares Jonida Shehu se edhe nëse do të mblidheshin forumet e partisë, do të votonin pro vendimit të Lulzim Bashës, për të përjashtuar Sali Berishën nga grupi parlamentar, pasi SHBA e shpalli “non grata”.
“Jam i bindur që forumet janë më të emancipuara për të marrë vendime për të mirë të partisë.
Basha nuk ka frikë ta çojë në forume. Edhe tani të ulen të votojnë, fiton Basha, të siguroj unë. Vetëdija politike e kësaj partie është e madhe” tha ai.
Kadilli mbështet vendimin për përjashtimin e Berishës, por është kundër mënyrës si u bë.
“Ishte e pritshme që si me vendim si pa vendim do të hynim në krizë, pasi kemi një dualitet në lidership.
Por të distanohemi nga e shkuara që na mban peng, duhet të shikojmë nga e ardhmja. Me vendimin jam dakord, por jo me rrugën e ndjekur.
Nuk ka proces politik brenda saj. I prerë në besë ndihet Berisha, i detyruar Basha. Ka një mungesë parimore. Basha duhet të jetë i qartë, vendimi merret mbi parime, jo se ta kërkojnë amerikanët. Ne kemi vendosur të kemi një standard.
Basha ka pasur përgjegjësi që të merrte një vendim që ditën e parë, që të mos e shokonte partinë në Kuvend. Mos ngutej për partinë, vrapoi për të siguruar vulën dhe anëtarësinë. Berisha nuk ka më cfarë i jep politikës.
Basha shfaqet sikur i dhimbset. Berisha duhet të kishte ikur vetë. Ne nuk e bëmë një model që ta zëvendësonim, e heqin amerikanët dhe është turpi jonë” tha ai.
Por me cilin krah pozicionohet Kadilli, Berishën apo Bashën? “Nuk jam as me njërin as me tjetrin. Lufta e Berishës nuk ka princip. Puna është të mos ndahet PD-ja. Duhet të jetë e bashkuar. Uroj që Berisha të mos bëjë fraksion, sepse do ta dëmtonte më shumë. Unë qëndroj në PD” tha ai.
Sali Berisha në ditët e fundit pasi u përjashtua ka folur për mungesë sovraniteti, por Kadilli ka këtë përgjigje; “Ca është ky sovranitet? Kur të preket interesi ty?”.
Por cila është këshilla e tij për demokratët? “Sfidë ndaj Bashës, refuzim ndaj Berishës. Unë nuk lëviz nga partia. Partia po vuan nga fanatikët e Berishës dhe opurtonistët e Bashës”.
Në fund, Kadilli kritikoi veprimin e opozitës për grisjen e fletëve të votimit në seancën e parë kur u zgjodh kryetarja e Kuvendit, Nikolla. “Operacion shumë i dobët parlamentar. Basha është i kompleksuar. Nuk është lufta të grisësh fletët dhe t’u biesh tavolina me grushte.
Shko bëj opozitë mos u merr me teatër. Cfarë vlere ka? Jo more, voto kundër, ky është realitet foshnjor. Kjo i intereson Bashës për t’u justifikuar se po bën opozitë të fortë” tha ai.