MENU
klinika

Dy muaj hetime

Kallëzohet penalisht zyrtari i Bashkisë Tropojë

01.09.2021 - 09:58

Dy muaj hetime i kanë mjaftuar policisë së Tropojës që të çojë në pranga 30-vjeçarin Gëzim Prengzaj, dhe të kallëzojë penalisht një zyrtar të bashkisë së qytetit. I riu akuzohet se ka kultivuar bimë narkotike, kurse inspektori i Bashkisë për moskallëzim krimi dhe shpërdorim detyre.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, pas një hetimi dymujor, finalizuan operacionin e koduar “Vilishti”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit Gëzim Prengzaj, banues në fshatin Lekurtaj.

Ky shtetas dyshohet se ka kultivuar bimë narkotike, sipër bjeshkës së fshatit Vilisht”, tha Policia në njoftimin zyrtar.

Ndërkohë, në vijim të veprimeve hetimore u procedua në gjendje të lirë për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, shtetasi I. Sh., me detyrë inspektor për Pyjet dhe Mjedisin në bashkinë Tropojë.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tropojë, për veprime të mëtejshme.