Asnjë shtetas shqiptar apo i huaj nga mesnata e të dielës nuk do të hyjë më në Shqipëri nëse nuk arrin të dëshmojë se nuk është i infektuar me Covid. Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur që të gjithë ata që do të hyjnë në vendin nga tonë me rrugë tokësore, detare apo ajrore duhet të jenë të pajisur me një nga këto dokumente:
1. Të kenë pasaportën e vaksinimit, ku nga data e vaksinimit të plotë të kenë të paktën dy javë.
2. Të kenë testin PCR negativ brenda 72 orëve ose testin e shpejtë të antigenit brenda 48 orëve.
3. Të kenë provë të kalimit të infeksionit Sars-Cov2, të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit.
Këtyre rregullave nuk do t’ju shpëtojnë edhe ato që vendin tonë do ta kenë transit dhe që janë mbi 6 vjeç. Nga ana tjetër për personat rezident në Shqipëri, mungesa e këtyre dokumenteve do t’ju kushtojë vetëizolimin për 10 ditë.
Ndryshe nga sa jemi mësuar në godinën e aeroportit nuk do të ketë më familjarë, por vetëm udhëtaret të cilët duhet të jenë të pajisur me maskë.
Rritja e rasteve me koronavirus përgjatë muajit Gusht, detyroi ekspertët që të rikthejnë orën policore e cila është në funksion që prej 1 Shtatorit. Lëvizja e lirë dhe çdo aktivitet ndalohet pas orës 23:00 deri në 6 të mëngjesit.
Ndërsa janë shtuar kontrollet për respektimin e mbajtjen së maskës në vendet e mbyllura. Mësuesit, mjekët dhe studentët janë të detyruar të vaksinohen dhe deri në 30 Shtator të dorëzojnë dokumentin që e vërteton këtë proces.
Në të gjitha rastet kur nuk respektohen masat e rekomanduara do të zbatohen penalitetet, siç është ai individual kur qytetari nuk ka përdorur maskën në ambientet e rekomanduara në masën e gjobës 3 mijë lekë nëse është për herë të parë dhe në rast përsëritje në masën 5 mijë lekë.
Në rast kur bizneset nuk zbatojnë protokollet e rekomanduara nga Instituti i Shëndetit Publik, masa e penalitetit shkon nga 100,000-700,000 lekë, në varësi të masës e cila nuk është zbatuar.