MENU
klinika

Kush janë të emëruarit?

Caktohen drejtuesit e prokurorive Korçë dhe Mat

17.09.2021 - 09:10

KLP cakton në detyrë drejtuesit e prokurorive të Korçës dhe Matit Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka caktuar në detyrë Dhorina Theodhori në pozicionin e drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Parë Korçë. KLP-ja po ashtu ka caktuar në detyrë Abaz Muçën në pozicionin e drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Parë Mat.

Me këto dy emërime, shkon në 7 numrin e drejtuesve të emëruar nga KLP-ja për një periudhë 3-vjeçare.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi dje mbledhjen plenare të radhës. Seanca u ndoq edhe nga përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë dhe programeve të asistencës për zbatimin e Reformës në Drejtësi, EURALIUS dhe OPDAT.

Pas verifikimeve të kryera nga Komisioni për Zhvillimin e Karrierës, mbi plotësimin e kritereve dhe procedurave të ngritjes në detyrë në pozicionin e Drejtuesit në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi në mënyrë unanime të caktojë Dhorina Theodhorin në detyrën e drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë dhe Abaz Muçën në detyrën e drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Mat.

Ata do të ushtrojnë funksionin e Drejtuesit të Prokurorisë për një periudhë trevjeçare, duke filluar nga data 16.09.2021.

Ndërkohë, në mbledhjen plenare të datës 09.06.2021, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka shpallur tetë vende vakante, të cilat do të plotësohen nëpërmjet procedurës së lëvizjes paralele.

Pas verifikimit të plotësimit të kushteve ligjore të kandidimit (nga ana e kandidatëve) dhe pasi u njoh me relacionet shpjeguese të përgatitura nga Komisioni për Zhvillimin e Karrierës, Këshilli vendosi miratimin e renditjes së kandidatëve për pozicionin vakant nr. 1 dhe nr. 2 në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, përkatësisht Elidon Hysenaj dhe Adnan Hoxha.

DREJTUES PROKURORIE

1. Anita Jella, Prokuroria e Durrësit

2. Elizabeta Imeraj, Prokuroria e Tiranës

3. Artan Shtrungza, Prokuroria e Tropojës

4. Kreshnik Ajazi, Prokuroria e Elbasanit

5. Genti Xholi, Prokuroria e Apelit Tiranë

6. Dhorina Theodori, Prokuroria e Korçës

7. Abaz Muça, Prokuroria e Matit