MENU
klinika

Rama ‘sulmon’ sërish Serbinë: Vijnë vërdallë me helikopterë, nuk dinë çfarë bëjnë

“Kosova dhe Shqipëria nuk mund të jenë më peng i BE”

27.09.2021 - 18:46

Kryeministri Edi Rama ka shprehur pakënaqësitë ndaj Bashkimit Europian sa i përket heqjes së vizave të Kosovës dhe hapjen e negociatave me Shqipërinë. Gjatë një bashkëbisedimi me studentë në Kosovë, Rama tha se Shqipëria duhet t’i kishte filluar negociatat me BE dhe se ne jemi peng i tyre.

Ai tha  Procesi i Berlinit është shumë i avashtë duke nënkuptuar se ‘Ballkani i Hapur’ do të kursejë kohën e shqiptarëve në kufi.

“Edhe Shqipëria duhet të kishte filluar negociatat se e kanë marrë vendimin dhe nuk fillon. Tani na ka dalë historia që Bullgaria do të Maqedonia të pranojë që në të shkuarën kanë qenë bullgarë. Këto janë gjëra që ne nuk i kemi në dorë. Ata nuk na mbajnë peng se janë kundër nesh, por sepse kanë arsye të politikës së brendshme. BE është themeluar nga burra me ideale, sot BE udhëhiqet nga interesa lokale dhe sondazhet. Për ne s’ka rrugë tjetër. Ne do ta bëjmë Shqipërinë dhe Kosovën me standarde të BE-së bazuar në ato parime që mishëron BE. Kjo është ajo që duhet t’ju kalojmë brezave të tjerë. Se kur na fusin ata kjo nuk varet nga ne. Nga ne varet që të bëjmë maksimumin që të zgjerohemi këtu. BE nuk vjen këtu e të na thotë mos i hiqni kufijtë. BE ka nisur një proces, Procesi i Berlinit. Por cili është problemi i tij? Kanë kaluar 7-8 vjet dhe nuk kemi parë ndonjë gjë. Procesi është shumë i avashtë dhe varet nga mbledhjet që organizojnë ata. Ne duhet të bëjmë një gjë shumë të thjeshtë. Dokumentacioni i transportit të mos jetë i disafishtë. Të mjaftojë dosja e dokumentave të Shqipëri. Kjo do të thotë rritje e punësimit, e të ardhurave. Ka një të dhënë që është katastrofë që orët e pritjeve në kufijtë e Ballkanit gjatë 1 viti janë 1100 vjet. Këto janë kohë e humbur”- tha Rama.

Kryeministri Rama sërish ka sulmuar Serbinë duke thënë se luftën e ka fituar Kosova dhe se ata vijnë vërdallë me helikopterë dhe avionë. Ai tha se fitorja nuk merret me tanke por në tavolinë me politikë.

 

 

“Patjetër Serbia fiton, por fitojmë edhe ne, fitojmë të gjithë. Pse ta privojmë vetën nga kjo? Disa thonë që kjo e nënçmon dhe e çon të plan të dytë çështjen strategjike të Kosovës. Unë mendoj që në një atmosferë ku një pjesë e shoqërisë bën turizëm, tregti, ekonomi tensioni është shumë më i ulët. Fqinjët nuk i zgjedhim, vëllain dhe fqinjët nuk i zgjedhim. U bënë kaq vite. Ju keni lindur në kohën e luftës. Edhe sa kohë do të presim ne? Luftën e ka fituar Kosova. Ata vijnë vërdallë me aviona dhe helikopterë, nuk e di se çfarë bëjnë atje. Nga fitimtar të sillesh si i mundur?! Lufta tani bëhet në tavolinë. Kush është i zoti ta marrë me politikë. Nuk merret me helikopterë dhe tanke”- tha ai.