MENU
klinika

Fjalimi i parë në Kuvend/ "Ballkani i hapur është i shqyer"

Kryemadhi: Përshëndes 12 gratë në qeveri, ato janë shtylla kurrizore e Shqipërisë

17.09.2021 - 09:56

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, ka mbajtur fjalën e saj të parë në seancën maratonë të Kuvendit. Mbrëmjen e djeshme ajo mori fjalën e saj në Kuvend, duke falenderuar 12 gratë që janë në qeverisje. Sipas Kryemadhit, ato janë shtylla kurrizore e Shqipërisë e se janë ato që i bëjnë shtëpitë dhe familjet të mbijetojnë dhe të përparojnë.

Ajo tha se programi qeverisës i prezantuar nga Rama nuk kishte asgjë, si për 300 mijë vendet e punës, shëndetësinë falas apo qytetarët që ikin.

”Akoma nuk shikoj në programin e qeverisë nëse flitet dicka për 300 mijë vendet e punës sepse shikoj të rinj që ikin, nuk shikoj shëndetësinë falas, në fakt janë vaksinat falas por nuk ka qenë falas shërbimi i të sëmurëve me covid që kap vlerën mbi 150 milionë euro dhe nëse kjo shumë nuk do të ishte përdorur nga xhepat e qytetarëve shqiptarë do të ishte një mundësi shumë e madhe për të krijuar vende të reja pune. Përshëndes 12 gratë në qeveri, ata janë shtylla kurrizore e Shqipërisë, meritojnë të jenë luftëtare”– tha Kryemadhi.

Po ashtu Kryemadhi ka theksuar se Ballkani i Hapur është thjesht Ballkani i shqyer dhe qeveria duhet të sqarojë se çfarë përfiton Shqipëria nga kjo nismë.

”Zgjedhjet që kaluam na përballën me të pamundurën. Shumë kolegë i përmendën këtu por do dëshiroja që t’i kishin denoncuar të gjitha problematikat që ngritën. Që me shitblerjen e votës, që me ndihmën ekonomike, që me legalizimet, që me hipotekat, që me koncesionet, duke filluar nga Porti i Durrësit dhe duke vazhduar edhe më tej me hidrocentralin e Skavicës. Do dëshiroja të shikoja se çfarë ndodh me opozitën? Dhe në fakt ndoshta mua nuk më takon kjo pyetje. Por përkundrazi më takon që të marr disa përgjegjësi të tjera. Në radhë të parë, për t’ju uruar grave të qeverisë, që janë 12 gra detyrën. Po për të mos qenë kukulla dhe instrument, thjesht firmosës të koncesioneve që ndahen midis njëri tjetrit.

Gratë në jetën dhe familjen e shqiptarve janë shtylla kurrizore e Shqipërisë. Janë ato që i bëjnë shtëpinë dhe familjet tona të lumtura. Janë gratë ato që rrisin me dashuri fëmijët dhe i mësojnë sesi të duan vendin. Është shumë e rëndësishme që gratë e qeverisë shqiptare të jenë gra me dinjitet, me integritet të kenë personalitetin dhe të bëjnë krenare të gjitha gratë e Shqipërisë. Sot më shumë se kurrë, Shqipëria nuk ka nevojë për kukulla, qofshin gra apo burra. Sot më shumë se kurrë shqipëria ka nevojë për njerëz të vërtetë. Sepse grate kanë mundësi të ngrihen për të luftuar për fëmijët e tyre, sepse ndoshta akoma tranzicioni politik nuk i ka lënë hapësirë që të këtë demokraci të vërtetë, asaj së cilës ne i kemi besuar disa dekada më parë.

Në fakt është folur në program për atdhedashurinë, dhe u fol shumë sot dhe për Ballkanin e Hapur por do të thoja që nuk është gjë tjetër por vetëm Ballkani i shqyer. Dhe duke qenë se kemi një Minister Finance grua do doja të dija se çfarë përfiton Shqipëria nga ballkani hapur, nuk më intereson çfarë fiton Serbia apo Maqedonia. Sot shikoj nga mazhoranca që flasin me zell të madh për Ballkanin e Hapur. Ndoshta nuk na duhen më juristë, por ekonomisë, pikërisht se çfarë përfitojmë nga kjo marrëveshje për Ballkanin e Hapur.
“Pronarët mbretërojnë ose sundojnë, nuk qeverisin”, – ka thënë Xhuzepe Garibaldi.

Për fat të keq, Shqipëria është shembulli më tipik i një vendi që sundohet dhe nuk qeveriset. Sundohet nga një grup oligarkësh, të cilët ditën pinë kafe në zyrën e kryeministrit dhe natën trokasin gotat e shampanjës duke ndarë pasuritë e shqiptarëve“, tha Kryemadhi.