Prof. Pëllumb Xhufi
Këto ditë, nën titullin “Kryqëzimi i së vërtetës” dolën nga shtypi kujtimet e Prof. Dr. Sabit Brokaj, figurë emblematike e tranzicionit shqiptar. Botuesi i tyre, z. Petrit Brokaj që është edhe vëlla i të ndjerit, ka bërë një punë prej murgu për të mbledhur, sistemuar e transkriptuar ato që në fakt ishin copëza kujtimesh, skelet i parë i një botimi, që duhet të kishte vëllim shumë më të gjerë e strukturë më homogjene. Por, vdekja e papritur, plot një vit më parë, nuk e lejoi Prof. Brokajn ta vazhdojë e ta çojë në fund këtë rrëfim prej protagonisti, që gjithsesi mbetet një dokument historik i çmuar. Shënimet e tij shkojnë deri në vitin 1994, viti i rrëzimit të Projekt-Kushtetutës berishiane, me ndonjë projeksion që shkon edhe përtej këtij viti. Pra, bëhet fjalë për momentin më dramatik të tranzicionit shqiptar, që pas leximit të këtyre kujtimeve, fare natyrshëm mund ta quash edhe “çmenduria shqiptare”.
Me Prof. Brokajn pata rastin të njihem në vjeshtë të vitit 1997. Kishte filluar të mahisej konflikti në Kosovë, ndërkohë që për llogarira të huaja, dikush në Tiranë përgatiste demonstrata e grushte shteti. Prof. Brokaj drejtonte në atë kohë Ministrinë e Mbrojtjes, dikasterin që politika e çmendur e demokraturës e kishte lënë pa ushtri, pa armë, pa nder e pa dinjitet pikërisht në prag të ngjarjeve epokale. Falë qetësisë, mençurisë, ndjenjës së përgjegjësisë e patriotizmit të tij, të vlerësuar maksimalisht nga populli e nga aleatët tanë, ministri Brokaj arriti ta rivendosë në hulli e eficiencë makinën e përmbysur e të plagosur ushtarake, e cila arriti të përballojë me sukses sfidat e mëdha të kohës.
Sabit Brokaj ishte një ndër ata intelektualë të shumtë: shkrimtarë, gazetarë, mjekë, inxhinierë, pedagogë, dramaturgë, aktorë, piktorë, që iu bashkuan lëvizjes për ndryshim që në hapat e para. Në vjeshtën e vitit 1990 u përfshi në grupin e punës për ndryshimin e Kushtetutës së vitit 1976, dhe me seriozitetin që e karakterizonte, iu vu punës duke filluar nga studimi i kushtetutave të Francës, Italisë e demokracive të tjera të konsoliduara. Si dekan i Fakultetit të Mjekësisë, në tetor të atij viti u ballafaqua me protestën e parë të studentëve të Fakultetit të Mjekësisë. U takua me ta në një sallë të konviktit, që siç kujton ai, ishte mbushur me djem të rinj gjysmë të zhveshur, të palarë e të parruar. I dëgjoi me qetësi kërkesat e tyre të rrëmujta, vuri rregull në formulimin e renditjen e tyre, shtoi edhe ai vetë ndonjë kërkesë me kripë dhe në fund, me një ton të lartë qortues u tha studentëve se demokracia është para së gjithash qytetari. Ndaj, herë tjetër ata duhet të paraqiteshin të organizuar, të përfaqësuar, të koordinuar e mbi të gjitha të veshur, të larë e të rruar. Fjalët e tij autoritare i shtangën studentët, të cilët sirena të tjera doktorësh i cysnin të silleshin si turma të egrish.
Në fakt, arsyeton në shënimet e tij Sabit Brokaj, përmbysja e sistemit ishte një dëshirë konsensuale e shumicës dërrmuese të shqiptarëve dhe nuk kishte arsye që gjërat të acaroheshin artificialisht për të shkuar në një përmbysje me dhunë e me gjak të tij. Por ky, me sa duket, ishte projekti. Brokaj tregon një episod kuptimplotë që ilustron më së miri logjikën kriminale që gjarpëronte qysh në fillim në lidershipin e PD. Në korrik të vitit 1991, si Ministër i Shëndetësisë i qeverisë teknike, ai ndodhej në SHBA, në zyrën për Evropën të Departamentit të Shtetit. Nisur nga situata e rëndë e krijuar në Shqipëri, ai i paraqiti përfaqësuesve amerikanë një listë me nevojat urgjente, kryesisht medikamente e pajisje mjekësore. Por nga krahu tjetër u tregua një farë hezitimi, deri sa edhe me nota keqardhjeje njëri nga funksionarët amerikanë shpjegoi se nga Shqipëria mbërrinin në atë zyrë fakse me të cilat kërkohej me ngulm që të mos dërgoheshin ndihma, pasi “ato kontribuonin për të zgjatur pushtetin e komunistëve”. “Para pak ditësh”, vazhdoi fjalën e tij funksionari amerikan, “ne kishim bërë gati për të dërguar katër tonë qumësht pluhur për fëmijët, por prej andej na erdhi ky faks”. Dhe amerikani lexoi tekstin e faksit të dërguar nga një mjek, drejtues i lartë në PD, i cili kërkonte pikërisht ndërprerjen e operacionit. Ky fakt e irritoi Dr. Brokajn që brofi në këmbë dhe bëri të dalë nga zyra duke deklaruar me atë zemërimin e tij karakteristik, që brenda sekondit ia bënte flakë të kuqe fytyrën e bardhë: “Zotëri, është kriminale ta mendosh se për të rrëzuar komunizmin duhen sakrifikuar jetë fëmijësh”. Me qëndrime të tilla nuk ishin mësuar në Departamentin e Shtetit, ku deri atëherë kishin shkelur përfaqësuesit qaramanë të opozitës hermafrodite shqiptare. Ai i impresionoi thellë bashkëbiseduesit amerikanë dhe, kush e di, edhe ai episod mund të ketë qenë nxitje për një reflektim të politikës amerikane ndaj Shqipërisë e ndaj “partisë demokratike” të përfshirë nga logjika e importuar e përplasjes dhe e gjakosjes mes shqiptarëve. Reflektim që e dha sinjalin e parë me largimin nga Shqipëria të “ambasadorit mitingash”, W. Ryerson, në vitin 1994.
Ndërkohë, doktor Sabiti e kishte bërë zgjedhjen e vet për demokracinë shumë kohë përpara. Pas angazhimit në grupin e punës për ndryshimin e Kushtetutës së vitit 1976 dhe pas “leksionit për demokracinë” që u dha studentëve të tij të Fakultetit të Mjekësisë, në dhjetor 1990, ai ishte i pari që hodhi firmën në peticionin dërguar Ramiz Alisë nga mjekë demokratë e patriotë, të prirë nga Prof. Petrit Gaçe. Peticioni kërkonte, as më shumë e as më pak, se dorëheqjen e qeverisë Çarçani, lirimin e të burgosurve politikë dhe kalimin pa vonesë në ndërtimin e një sistemi demokratik. Në atë peticion, shkruan Sabit Brokaj, mungoi firma e atyre mjekëve, të cilët pas ndonjë muaji do kacavireshin në tribuna e me zë të çjerrë e do përgjëroheshin për demokracinë.
Ai demokracinë e kishte natyrë e bindje. Këtë më mirë se kushdo e kanë ditur ata që kanë qenë afër tij, studentë, miq e kolegë. Disa prej këtyre të fundit, në një ditë dhjetori 1990, të shqetësuar nga turravrapi që kishin marrë drejt kreut të lëvizjes demokratike bolshevikët e deridjeshëm të PPSH, i propozuan Dr. Sabitit të merrte në dorë drejtimin e PD që po krijohej. E refuzoi. Të tjerë intelektualë duhet të vinin në krye të asaj partie, intelektualë të ndershëm, patriotë dhe jashtë radhëve të Partisë së Punës. Ai ishte ende anëtar i saj, dhe këtë nuk e quante një “turp” për t’u fshehur. Ishte futur në parti gjatë një misioni në thellësitë e Mesdheut me të famshmen nëndetësen “105”, ku shërbente si mjek. Si kardiolog i shquar u përfshi në grupin e mjekëve që kujdesej për shëndetin e brishtë të Enver Hoxhës në vitet e fundit të jetës së tij. Këto dy etapa të jetës së vet Sabiti nuk i ka mohuar kurrë, përkundrazi. Kur ndonjë bolshevik i konvertuar ia kujtonte me ligësi për ta kompleksuar, i përgjigjej: u futa në parti për t’i shërbyer Atdheut, jo për të përfituar; u bëra mjek i Enverit sepse Zoti im, Ipokrati, më urdhëron: “Pacienti është i shenjtë, ndaj shërbeji atij si kur është i pari vendit, ashtu edhe kur është i fundit i katundit”. Në fakt e caktuan në atë detyrë thjesht se ishte i zoti. Dhe doktori-shkencëtar tregoi se e kishte bërë të tijën porosinë që Ipokrati u jep mjekëve për të qenë, para së gjithash, njeri. Ishte mjeku i të gjithëve, sidomos i të pafuqishmëve dhe i të pambrojturve. I tillë ishte në vitin 1994 patrioti i madh i Dibrës, ish Presidenti Haxhi Lleshi, Hero i Popullit. Gati në mënyrë klandestine, për t’i shpëtuar policisë së regjimit, Doktor Brokaj arriti ta nxjerrë jashtë shtetit e ta shoqërojë atë për një ndërhyrje kirurgjikale të vështirë. Faqet që ai i kushton këtij episodi në kujtimet e tij përcjellin një ngarkesë emocionale të jashtëzakonshme. Pacienti ishte në gjendje mjaft të rëndë, dhe Dr. Sabitit iu desh ta mbante edhe në krah gjatë ndërrimit të avionëve, të trenave e të autobusëve. Në mes të natës, në Shkup, iu desh të trokiste në një derë të huaj për të telefonuar e për të kërkuar ndihmën e miqve shqiptarë. Arriti ta kthejë gjallë në Atdhe heroin e Luftës II Botërore, të cilin pas pak kohe, të shtrirë në barelë, bishat me fytyrë njeriu të SHIK-ut berishian e përplasën në burg. Për turp të tyre, por edhe për turp e marre të ne të gjithëve.
Kur refuzoi propozimin për t’iu bashkuar PD-së, Sabiti ishte kryekëput i bindur se lëvizja dhe partia e re demokratike kërkonte njerëz të rinj. Ai vetë iu fut punës për të reformuar e demokratizuar partinë e tij. Si Ministër i Shëndetësisë, në fillim të vitit 1991, kërkoi publikisht dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm dhe të Prokurorit të Përgjithshëm. Kur e pa se koraca e fortë e PPSH nuk dëgjonte të tërhiqej, bashkë me shokë të tjerë iu vu punës për të themeluar një parti të majtë evropiane. Kjo nxiti akoma më shumë debatin brenda PPSH, që më në fund, gjatë një kongresi të zjarrtë, u nda përfundimisht nga e kaluara dhe u rithemelua si një parti me ideale social-demokrate dhe ku drejtimin e saj e morën njerëz të ditur e me vizion, si Prof. Sabit Brokaj me shokë. Në krahun tjetër, degradimi i shpejtë i PD dhe shkarja e lidershipit të saj në pozita autoritare e deri antikombëtare, i vuri socialistët e posaçërisht përfaqësues të vendosur e të pakompromis të saj, si Prof. Brokaj, në radhën e parë të betejës për mbrojtjen e demokracisë e të interesave të vendit. Në librin e papërfunduar me kujtime, Dr. Sabiti nuk arriti ta trajtojë periudhën dramatike të pasvitit 1993, ku u evidentua me forcë roli i njerëzve me moral, me bindje e me guxim të patundur, virtyte që i kishte me bollëk Prof. Sabit Brokaj. Por shqiptarët brenda e jashtë Shqipërisë janë dëshmitarë të gjallë të betejave të tij në Shqipëri e në kanceleritë e huaja, deri në zyrat e NATO-s, në mbrojtje të çështjes së Kosovës. Meritat e shquara në luftën për çlirimin e saj Sabit Brokajt ia ka njohur edhe qeveria e shteti i Kosovës. Në qeveri apo në opozitë, në parlament apo në shtyp, Prof. Sabiti ka denoncuar nxjerrjen në ankand të interesave kombëtare, të sovranitetit e deri të integritetit territorial të vendit. Denoncoi në Kuvend dhe votoi kundër projekt-ligjit për liberalizimin e tregtisë së armëve të paraqitur nga qeveria Berisha në 2008. Paralajmëroi, kështu, katastrofën, krimin e turpin e Gërdecit, ku u implikuan politikanë të korruptuar, ushtarakë të squllur e deputetë syleshë e të përgjumur.
Proverbiale janë betejat e tij kundër Dr. Sali Berishës, të cilin ai e konsideronte me bindje një “abort politik”. Ishte antipodi i tij moral, ishte kritiku i orëve të para i Berishës politikan, më i ashpri e absolutisht më i besueshmi. Në planin personal premisat ishin për një marrëdhënie të shkëlqyer mes të dyve. Sabiti, më i njohur e më i integruar në jetën sociale e profesionale të kryeqytetit, e mbështeti me dashamirësi mjekun e ri provincial. Por çdo gjë ndryshoi kur parvenu–ja nga Vuçidoli arriti të kacaviret në krye të lëvizjes demokratike dhe të PD, duke abuzuar me besimin e shqiptarëve e të kancelerive të huaja, dhe i mbështetur nga elementë të dyshimtë të diasporës. Atëherë, edhe Dr. Sabiti, si shumë ish kolegë e bashkëpunëtorë të tjerë të Berishës, u bë viktimë e mosmirënjohjes, e pabesisë dhe e përndjekjeve. U ndalua dhe u arrestua disa herë nga shërbimet sekrete të ish-kolegut. Por deri në rrahjet e fundit të zemrës nuk cedoi asnjë centimetër nga bindjet e parimet e tij, siç ndodhi me jo pak drejtues socialistë.
Sot, kur Sabit Brokaj nuk jeton më, shuplaka e ardhur nga përtej Atlantikut ka ndezur si rrallë ndonjëherë debatet për kuptimin e moskuptimin e këtyre 30 vjetëve të palo-demokracisë shqiptare. Në “forumin” e mendimit intelektual shqiptar, që siç dihet është kafeneja, gjuha është zgjidhur, kurajua gjithashtu, e të gjithë i janë turrur Berishës si dikur Enverit. Nuk po lënë gjë pa i thënë “doktorit”, që i vuri vulën e vet këtyre 30 vjetëve të një tranzicioni të çmendur: despot, i etur për famë, i babëzitur për pushtet, i pangopur për pasuri, i pagdhëndur, i paskrupullt, i pashpirt, i pabesë, i paburrë, i paligj, i pashok, i paatdhe. Demon i së keqes, “doktor i vdekjes”. Por që gjërat nuk janë aq të thjeshta dhe për këtë, në librin e tij me kujtime, na e tërheq vëmendjen edhe Dr. Sabiti, i cili vlerësimet për Berishën i ka bërë ballazi e në kohë të padyshimta. Berisha nuk ka qenë i vetëm në mynxyrat që kemi kaluar. E kanë shoqëruar, e kanë inkurajuar dhe e kanë mbrojtur një lukuni e tërë hipokritësh, përfituesish, intrigantësh, arrivistësh e karrieristësh, të praskupullt si ai, që i gjen me tepri në të dy krahët e politikës shqiptare. Janë ata që dikur F. Nano i quajti me emrin e gjetur “berishka”, pa e menduar se një ditë edhe ai do përfundonte në batakun e tyre. Janë doktorë, juristë, profesorë, ekonomistë, oficerë, inxhinierë të zotë, e më shumë të pazotë. Shumë prej tyre parvenus e kacavjerrës si ai. Edhe ata janë shkaktarë që ky vend humbi nder e dinjitet. Edhe ata janë përgjegjës që Shqipëria humbi për të satën herë trenin e historisë. E kështu, rrethi i përgjegjësive zgjerohet e zgjerohet, duke arritur deri tek njerëzit e thjeshtë, tek ata ishin të bindur se votonin “për djalin e tyre”, apo mbushnin sheshet e mitingjet për t’u karikuar me helmin e me urrejtjen patologjike të doktorit. Për të gjithë këta, për të gjithë ne, sa ishte gjallë, Dr. Brokaj i kishte gjetur e i kishte thënë fjalët e duhura. Edhe sot, kur prehet në botën tjetër, me kujtimet e tij të sapobotuara, ai na rëndon kur duket sikur na thotë: “Unë fola dhe e shpëtova shpirtin tim”.