MENU
klinika

Kur shkëlqente, Lindja!

Kush ishte Marko POLO?

15.09.2021 - 16:07

      Më 15 shtator 1254, Marko Polo lindi në Venecie.

Udhëtari më i famshëm italian në botë, arriti në Kinë përgjatë Rrugës së Mëndafshit në shekullin e 13-të, duke e shndërruar aventurën në një bestseller: “Milioni”, një rrëfim i detajuar i udhëtimit të tij në Azi. Në ditët e sotme duhen pak më shumë se 10 orë me aeroplan për të shkuar nga Italia në Kinë, mirërpo në Mesjetë, të udhëtoje në Rrugën e Mëndafshit, rrjeti i rrugëve që lidhnin Mesdheun me Perandorinë Qiellore nëpërmjet Azisë Qendrore, do të thoshte të udhëtoje për muaj ose vite, duke sfiduar grabitësit dhe rreziqet e klimës./Konica.al

 

Një udhëtim ekstrem: pak niseshin, akoma më pak ktheheshin.

Midis tyre ishin dy tregtarë venecianë, Nikolo dhe Mateo Polo, të cilët arritën në Kinë në 1266, asokohe nën sundimin e Kublait, nipit të udhëheqësit mongol Genghis Khan. U futën në mrekullitë e sovranit dhe u informuan për të gjitha tokat e kontrolluara nga mongolët, që shtriheshin nga Lindja e Largët në kufijtë e Evropës. Në këmbim, Khani kinez kërkonte që dy tregtarët ta vinin në kontakt me Papën. Më shumë se rolin e ambasadorëve, dy Polot ishin të interesuar për lidhje tregtare me Lindjen, ndaj nxituan të ktheheshin në Venecia dhe, më pas, të rimerrnin sërish rrugën për në Kinë. Jemi në vitin 1271 dhe nismës iu bashku edhe djali i Nikolos, Marko, vetëm 17-vjeç. “Milioni”, i pari bestseller

Polos së ri i detyrohemi raportin më të rëndësishëm të udhëtimit të Mesjetës, një minierë informacioni mbi Lindjen misterioze: “Milioni”.

Një libër i pazakontë si vetë autori, siç konfirmon filologu Giulio Busi, autor i Marko Polos: “Udhëtim në kufijtë e Mesjetës”: “Polo i ri ishte njeri shumë kureshtar, kishte një vështrim të vëmendshëm dhe të hapur karshi asaj që shihte. Ishte një udhëtim tregtie dhe ai, babai dhe xhaxhai i tij, synonin padyshim fitimin, mirëpo Marko dinte edhe të zbulonte, edhe të mësonte. Arriti të na përcillte me historinë e tij atë që kishte parë në një mënyrë të vëmendshme, shumë të gjallë”. […]. Udhëtimi në Kinë zgjati më shumë se 3 vjet, më pas Polo qëndroi edhe 17. Ndalesa e parë pas “Serenissima” ishte Acri, në Tokën e Shenjtë, ku mbërritën në prill 1272 dhe morën nga legati papal, Tebaldo Visconti, një ampulë vaji nga Varri i Shenjtë, letra për Kublain dhe dy fretër dominikanë si shoqërues udhëtimi. Polot e lanë Perëndimin pas, por në Siri fretërit i braktisën nga fretërit, të tmerruar nga rreziqet e udhëtimit. Kështu Nikolo, Mateo dhe Marko vijuan vetëm, që të mos tërhiqnin vëmendjen e plaçkitësve, siç ndodhte me karvanët e shumtë. Në këmbë, pas kuajve dhe deveve të blera gjatë rrugës, ata shkuan në Anadoll dhe arritën nën malin Ararat në Armeni, ku thuhej se gjendej ende arka e Noes./Konica.al

Tokë e pasur me lëndë të parë dhe kulturë

Në Azinë Qendrore, Marko pa për herë të parë naftën, qymyrin, asbestin që bllokon veprimin shkatërrues të zjarrit.

Për secilin vend, Marko na ofron një përshkrim befasues, siç shpjegon Busi: “Zakonisht tregtarët ishin të prirur të përfitonin dhe sigurisht nuk ishin të interesuar për letërsinë. Përkundrazi, ata preferuan të mos tregonin asgjë për udhëtimet e tyre, në mënyrë që të mos favorizonin konkurrencën. Marko, nga ana tjetër, tregon dhe e bën me një ndjeshmëri të jashtëzakonshme”. Në Azinë myslimane, Polo u habit nga ritet e nestorianëve, të krishterë që nuk i bindeshin Papës së Romës dhe nga ndjekësit e zoroastrianizmit në Persi. Po ashtu, u mallëngjye kur pa varrin e pretenduar të mbretëve magjistarë dhe la përshkrime të gjalla të Mosulit, Bagdadit, Tabrizit dhe dhjetëra vendeve të tjera. Kalimi i Iranit të sotëm duhej t’i sillte Polot në Hormuz, pranë Gjirit Persik, për të vazhduar udhëtimin e tyre nga deti, mirëpo kur mësuan se porti nuk ishte në duart mongole, u detyruan të vazhdonin në tokë, përmes shkretëtirës Dash-e-Lut, Afganistanit dhe Luginës Panshir. Mandej, përgjatë 40 ditëve kaluan vargmalin Pamir për të arritur në territorin aktual të Xinjiang, në kufirin perëndimor të Kinës së sotme. Udhëtimi i Polove zgjati 3 vjet. U kishin shpëtuar mrekullisht grabitësve, u kishin rezistuar netëve të ftohta dhe ditëve të nxehta, kishin duruar etjen dhe urinë, një sëmundje e gjatë e Markos, që i detyroi të rrinin për muaj në Afganistan.

Gjysmë të rraskapitur, ata ishin në caqet e botës së njohur, por qyteti i Kublait, Cambaluc (Pekini i sotëm) ishte ende shumë larg.

Me forcën e dëshpërimit, kaluan shkretëtirat Taklamakan dhe Gobi, më pas mrekullisht u ndeshën me një patrullë të rojes mbretërore mongole. U treguan të mirësjellë dhe i shoqëruan në Shangdu, rezidenca verore përrallore e Khanit. Ishte viti 1275 dhe Kublai i priste me padurim vëllezërit Polo. I priti i entuziazmuar dhe u godit nga inteligjenca dhe kurioziteti i djalit të Nikolos. Shumë shpejt Marko mësoi gjuhën kineze dhe u magjeps nga një qytetërim që në shumë aspekte ishte superior ndaj atij evropian. Për herë të parë, ai pa letër dhe printim, fishekzjarre, shkrepëse, porcelan, pra u bë një njeri midis dy botëve. Busi shpjegon: “Edukimi i tij ishte venecian. Më pas, në të njëzetat dhe të dyzetat, u bë zyrtar i lartë i Perandorisë Kineze, duke udhëtuar në mbarë Lindjen e Largët, nga Koreja në Indi”.

Në oborrin e Khanit

Ky fakt i mundësoi të na japë lajme të dorës së parë, për një botë ndryshe e të panjohur.

Na tregon për zakonet e brahmanëve dhe prostitutave të shenjta të Indisë jugore me një ndjeshmëri moderne, larg paragjykimeve.

Pavarësisht hijeshisë së Lindjes, Polot donin të ktheheshin në shtëpi, për të shijuar pasuritë që kishin grumbulluar. Kështu, pas 17 vjetësh, në 1292, ata kërkuan leje të largoheshin. Këtë herë udhëtimi u bë pjesërisht nga deti, me një flotë që kaloi Malacca, arriti në Sumatra dhe më pas preku portet e Indisë dhe Ceylon. Pas 18 muajsh mbërritën në Hormuz, për të qëndruar më shumë se një vit në Persi dhe për të arritur në Kostandinopojë, nga ku lundruan për në Venecia në 1295. Kishin qenë larg shtëpisë për 24 vjet dhe prej çastit të kthimit e deri në vdekje, në 1324, Marko nuk ndërmori asnjë udhëtim tjetër. I la historitë e tij të vërtiteshin në “Milioni”. ““Milioni” ishte një bestseller ndërkombëtar: u kopjua, u përkthye, u lexua. Aktualisht është një libër tejet i studiuar, kurse Marko Polo mbase është italiani më i famshëm në botë. Për kinezët është një referencë e domosdoshme, edhe nëse ne italianët jemi fare pak të vetëdijshëm për këtë”, – përfundon Busi./Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Arkeologjia shqiptare dje dhe sot

Gërmim në të kaluarën e paraardhësve tanë

Dorëshkrimet e rralla të Rita Markos për luftën

Si e njoha Qemalin dhe Enverin