Thomas Eftim Stefani ka qenë një toger dhe zbulues amerikan në vitin 1942, për seksionin Shqipëria nën kodin Art. Ai ishte me origjinë shqiptare.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka publikuar një foto të rrallë të tij dhe të dokumentit që tregon detyrat që kishte ai në Shqipëri.
Sipas Arkivave, në prill të 1944 ai u atashua pranë LANÇ në Odriçan nga ku ekzistojnë një sërë raportesh të nënshkruara nga ai drejt zyrës së OSS-së të stacionuar në Bari të Italisë.
Ndërkohë në dokumentin më poshtë thuhet se ai gjithashtu kishte përgjegjësinë për koordinimin e punës së njësive të tjera të inteligjencës amerikane në të gjithë zonat e çliruara të Shqipërisë.
POSTIMI I PLOTE I ARKIVAVE
#SiSot, më 6 shtator 1959, ndërroi jetë Thomas Eftim Stefani (Tomë Stefani) shefi i misionit amerikan i zyrës së kordinimit në terren të OSS-së (Zyra e Shërbimeve Strategjike) gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Lindi në Boston nga prindër shqiptarë të ardhur nga Korça. Në vitin 1942 bëhet pjesë e ushtrisë amerikane ku më 14 janar të vitit 1943 promovohet si artilier në divizionin e këmbësorisë.
Në nëntor të 1943 i bashkohet OSS nën gradën toger i I me detyrën si rekrutues për individë që u bënë zbulues amerikanë për seksionin Shqipëria nën kodin Art. Pika e tij e ndërlidhjes midis shtabit partizan dhe OSS-së do të ishte Harry Fultz nën kodin Gates.
Fillimisht hidhet në Shqipëri me mision në Tragjas, aty ku pala amerikane kishte stacionuar edhe ndërlidhjen e saj, ndërsa në prill të 1944 atashohet pranë LANÇ në Odriçan nga ku kemi një sërë raportesh të nënshkruara nga ai drejt zyrës së OSS-së të stacionuar në Bari të Italisë.
Në fotografinë e parë shfaqet Tomë Stefani me Spiro Moisiun si dhe një material ku pasqyrohet prezenca dhe aktiviteti i Tomë Stefanit në Shqipëri.