MENU
klinika

"Më priti kur dola nga burgu"

Letra e frikshme e Elton Metës: Sabrinën e gjeta duke folur në skype me të dashurin

16.09.2021 - 15:52

Nuk mjaftoi gjakftohtësia me të cilën kreu krimin, por Elton Meta 31-vjeçari që i mori jetën Sabrina Bengajt duke e qëlluar me armë në shtëpinë e prindërve të saj, ka hedhur në letër të zezën mbi të bardhë versionin e tij mbi ngjarjen makabre.

Ai thotë se kur ka dalë nga spitali i burgut të Zaharisë është takuar me të shoqen 5 ditë më vonë dhe kanë fjetur bashkë. Meta shkruan se mamaja, vëllai dhe kunata e saj kanë qenë në dijeni të bashkimit të tyre dhe akuzon ish-vjehrrin se i kërcënonte dhe ruheshin prej tij.

Sipas Metës Partizan Bengaj, babai i ish-bashkëshortes e ka kërcënuar disa herë pasi është kthyer nga Greqia dhe për këtë thotë se ka bërë edhe kallëzim në polici. Në ditën e vrasjes, Elton Meta shkruan se ka shkuar në shtëpi dhe ka gjetur Sabrinën duke folur në Skype me të dashurin e saj dhe në këtë moment e ka qëlluar.

Meta pranon krimin por fajtor për këtë veprim bën të atin e vajzës.

“Unë Elton Meta me anë të avokatit Kujtim Çakrani dua të sqaroj opinionin publik se çfarë ka ndodhur përsa i përket veprimit tim. Jam liruar nga spitali i Zaharisë më datë 26 korrik, një ditë më pas jam takuar me ish-bashkëshorten time. Më datë 1 gusht, Sabrina merr leje nga puna dhe kemi ndenjur bashkë, kemi kryer marrëdhënie seksuale.

E shoqëroja në punë, por gjithmonë ruhej nga babai i saj që të mos e kuptonte se ne i kishim rregulluar muhabetet. Mamaja, vëllai dhe kunata e saj ishin në dijeni të bashkimit tonë.

Kur u ktheva nga Greqia, pashë që gjërat kishin ndryshuar. Ish-vjehrri filloi me kërcënimet. Duke e njohur atë i mora seriozisht. Kam shkuar në Polici dhe oficeri i policisë, Eugeni më tha se nuk ka kohë, hajde pas 2-3 ditësh. Sabrina më tha se babai e ka marrë vesh dhe do na zhdukte të dyve.

Ish-vjehrri më shkruajti sërish në “Messenger” dhe më la takim e më tha “do të të zhduk”.  Kam telefonuar Z. Tonin Vocaj ku kam kërkuar ndihmë. Tonin Vocaj më dha numrin e drejtorit të Policisë, më tha Alfred e quajnë, mbiemrin nuk ia dhe më tha të kërkoj aty ndihmë. Kam shkuar te drejtoria e Policisë për ta takuar. Shkova përsëri te zyra e avokatit për të kërkuar ndihmë. Avokatja që ndodhej në zyrë më tha “Shko në komisariat dhe bëj kallëzim”.

Ndërkohë komunikoja me ish-bashkëshorten dhe më tha që babi ka marrë vesh dhe do të të zhdukë dhe me mua nuk do takohesh sepse unë kam një të dashur tjetër. Të cilin e kam pasur që kur ishim të martuar dhe ai me 10 të tjerë po të ndjek dhe të q** robt ty dhe familjes tënde.

Kjo sjellje e ish-bashkëshortes më habiti pasi i kishim të ribashkoheshim dhe do vazhdonim jetën pasi duheshim dhe nuk kishim asnjë konflikt. Pas kësaj ish-vjehrri më shkruan dhe në mesenger duke më lënë takim në Patos në një karburant në hyrje në tij duke më thënë hajde do të zhduk.

Ndërkohë duke parë kushtet e një gjendje emocionale të rënduar kam shkuar te vendi ku kisha fshehur armën, e mora dhe shkova te shtëpia e ish-vjehrrit.

Pasi hyra në banesë, ish-bashkëshortja po fliste në “Skype” me të dashurin dhe në momentin që më pa mbylla telefonin dhe ndërkohë vjen edhe kunata e cila filloi të qeshte. Pasi kuptova iu bë qejfi që unë e kapa ish bashkëshorten me të dashurin e saj. Ndërkohë ajo më kërkoi të dilnim në oborr duke më thënë se nuk kam më punë me ty. Ndërkohë në atë moment pas asnjë dëshirë për ta ekzekutuar sepse konfliktin e kisha me babain i cili është shkaktar i kësaj tragjedie.

Shkrepa armën që më doli nga kontrolli dhe mësova se Sabrina kishte ndërruar jetë. Për sa më sipër jam fajtor për aktin, por dua të sqarohen të gjithë se çfarë kam deklaruar. Unë kam shkrepur armën, por vrasjen e ka bërë babai i saj”, shkruan ai.