Shpallja e vendimit “fatal” nga Basha, siç e ka zakon alla reality show, pra në momentin e fundit, pritej të sjellë ato reagime që solli, të cilat ishin natyrisht të përgatitura.
Njerëzit e informuar më thellë pranë politikanëve të lartë, prisnin një vendim të fortë, që historikisht është epokal.
Sali Berisha, pas “vdekjes politike” që i ndodhi me shpalljen Non Grata nga SHBA, tani është edhe pa një mburojë politike, që politikanët tek ne e përdorin si portë njerëzore për të mbajtur distancim social nga sikletet që ndodhin jashtë porte.
Megjithatë, përpos inateve të militantëve të përhershëm që dalin për Berishën, të cilët këtë radhë realisht nuk trishtuan aq shumë, edhe pse s’japin shije të mirë, ka rënë në sy argumenti “mitizues” që po i japin Lulzim Bashës mbështetësit e tij në PD, që duket se u graduan nga ai vetëm për këtë ditë të keqe.
E janë pikërisht këto reagime, të cilat po e kthejnë në një atmosferë gazmore, një maraz politik që duhet thënë është vetëm i Sali Berishës, e jo i njerëzve të thjeshtë që mbështesin PD-së, e as qytetarëve në përgjithësi.
Ndërkohë që përkrahësit e Ilir Metës, e kanë vizatuar atmosferën e vendimit të Bashës me një aureolë biblike, ku Basha sipas tyre, është Juda Iskarioti që tradhëtoi Jezu Krishtin pasi këndoi gjeli tre herë, njerëzit e kryetarit të PD-së, i veshin trajta antike të madhështisë së Romës së lashtë Lulit vetë. E këtu ja fusin vetes keq…
Argëtuese është metafora e Fitim Zekthit, që Bashën e krahason me Markun, natyrisht jo kreun e qarkut Lezhë që dha dorëheqjen një muaj më parë, por Mark Brutin, senatorin dhe “djalin e adoptuar” të Çezarit që vrau babain e vet, në mes të aulës së tempullit të Romës institucionale, duke i ngulur në brinjë kamën e tij të mprehtë disa herë, së bashku me Gaius Cassius.
Zekthi e gjeti Brutin e tij, të cilin Çezari, kur ja nguli thikën tha: “Edhe ti o bir?!”
Dhe këtë e shqipton pa ju dridhur qerpiku. “Bruti, vërtetë e donte Çezarin, por më shumë donte Romën”, thotë rishtari i kryesisë së Bashës që ai e çon çdo natë në panele.
E kjo dashuri e Brutit që vrau babanë e tij adoptiv, u shpërblye më pas me vrasjen e tij në fund, nga djali jo adoptiv, por real i Cezarit, Oktaviani, që në fund u bë Perandori i parë i Romës, ku mori dhe emrin “August”. Fitimi i shkretë donte të ndihmonte shefin e tij të ri, por imagjino; nën mjekër Çim Peka shkëlqente pas këtyre metavorave antike, pasi Mark Antonin e gjeti te Flamur Noka si tak fak, e natyrisht Oktaviani është ende në hije për të nisur betejat e mëdha, por që do t’i nisë, duke u përballur në një betejë epike me “Mark Brutin”(Jo Mark Markun).
E ky është natyrisht au- Zeni, po po Shkëlzeni, i biri i Çezarit që u rrit dhe do të hakmerret për kamën e ngulur në ijen e babait të tij nga Mark Bruti që “donte më shumë Romën”.
E në fund, pas betejës, Oktaviani, me një llaf Zeni, do të triumfojë, do të asgjësojë Brutin e Cassusin, e në fund edhe Mark Antonin(Flamur Nokën) që e kalon gjithë ditën me Kleopatrën, e do të ngrejë një Perandori më të madhe e më të fortë se Çezari. E vetë do ta marrë emërtimin Çezar Augusti! Këtu, natyrisht që Zekthit i zbutet breshëria e zërit, pasi fabula e ofruar i jep një fund tragjik për Markun e shkretë, që do ta vrasë i biri i babait për të marrë hak.
Na mbeten në fakt ende ca personazhe të tragjedisë pa i caktuar, si për shembull Kleopatra, që do t’i japë fabulës një sens edhe më romantik…I gjithë ky zulm referencash për antikitetin megjithatë perlën e ka tek fantazia e njerëzve të Metës, që i japin doktor Berishës, atributin e Jezuit, që u tradhëtua nga Juda-Lulzim.
E në fakt Jezui, jo vetëm e dinte se kush do ta tradhëtonte, por edhe kur, madje ndaloi edhe Pjetrin ta vrasë Iskariotin. Po Pjetri kush është në këtë rast që nuk e la doktori ta vrasë Lulin?! E të mendosh se të gjithë këto idologë e filozofë të mëdhenj, janë jo pjesë e lobit të “tmerrshëm” të Soros, por anëtarë të divanit të Xhamisë së Tabakëve, ku dhe formulojnë tezat e tyre.
Po ka edhe më, Artur Zheji, e konsideron Bashën një vizionar që shpëtoi partinë e vendin nga ata që donin ta fusin në sovranizmin e errët pa krye. E konsideron një lider me vizion aq të madh, po aq të madh, sa nuk e merr vesh kush. Po mirë, po si ka mundësi që Lul Basha, edhe pse ishte kudnër përjashtimit, argumente që i renditi gjatë në fjalën e tij e “vrau” babain? Këtu duket se ngec pak fabula, që është bërë një parodi e mrekullueshme për hapjen e sezonit të Portokallisë…