MENU
klinika

Festimet e organizuara

Maqedonia e Veriut sot shënon 30-vjetorin e pavarësisë

08.09.2021 - 12:45

Maqedonia e Veriut sot shënon 30 vjetorin e pavarësisë. Me rastin e festimit të kësaj dite, sot në qendër të kryeqytetit do të parakalojnë punonjësit shëndetësorë, sportistët, zjarrfikësit, policia dhe ushtarët, minatorët, fermerët, vullnetarët e Kryqit të Kuq, si dhe ansamble kombëtare dhe shoqatat kulturore dhe artistike.

Festa qendrore do të jetë e hapur para Kuvendit duke filluar nga ora 17:30 dhe do të fillojë me shfaqjen e veprës “Simfonia për filarmoninë” të kompozitorit Zhivoin Glisiq, pas çka pason defileja.

Mbrëmë janë bërë përgatitjet e fundit para festimit të sotëm.

Sipas protokollit, pjesa zyrtare do të fillojë në orën18:30 me këndimin e himnit të Maqedonisë së Veriut nga Orkestra ushtarake, pastaj do të vijojnë fjalimet krerëve shtetërorë. Fjalim do të kenë Presidenti i vendit Stevo Pendarovski, Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi dhe Kryeministri Zoran Zaev.

Pas fjalimit të Kryeministrit, gjegjësisht në orën 19:30, fillon pjesa muzikore me interpretimin e një kënge të aranzhuar posaçërisht për këtë rast dhe një pjesë muzikore me solistë të famshëm të cilët së bashku me Filarmoninë kombëtare do të interpretojnë disa këngë zbavitëse antologjike.

Këto janë disa prej shumë aktiviteteve për ditën e sotme.

Përndryshe, Maqedonia e Veriut, pavarësinë e saj e fitoi përmes një referendumi popullor, i cili e shpalli atë shtet të pavarur dhe sovran. Sipas vlerësimeve shtetërore të asaj kohe, mbi 95 për qind të qytetarëve që dolën në referendumin e 8 shtatorit të vitit 1991, iu përgjigjën pozitivisht pyetjes së referendumit “A jeni për Maqedoni të pavarur me të drejtë të hyjë në fuqi në aleancën e ardhshme të shteteve sovrane të Jugosllavisë”,

Referendumit i parapriu Deklarata për Pavarësi, të cilën Parlamenti i parë i Maqedonisë shumëpartiake e miratoi më 25 janar të vitit 1991. Formalisht, vullneti i popullit për shtet të pavarur ishte konstatuar me Deklaratën për pranimin e rezultateve të referendumit më 18 shtator të vitit 1991 në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.

Hap i ardhshëm me rëndësi në përforcimin e shtetit ishte miratimi i Kushtetutës së re më 17 nëntor 1991. Dhjetë vite më vonë Kushtetuta u plotësua pas konfliktit të vitit 2001 dhe nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit.

Shtetësinë e Maqedonisë e para e njohu Republika e Bullgarisë, pas çfarë pasuan njohjet nga Turqia, Sllovenia, Kroacia, Rusia, Bosnjë e Hercegovina.

Shteti u pavarësua monetarisht me vendosjen e denarit më 26 prill 1992, e më pas formoi edhe Armatën e vet, e cila ditëlindjen e feston më 18 gusht.

Subjektiviteti ndërkombëtaro-juridik i shtetit definitivisht u konfirmua më 8 prill të vitit 1993, kur me aklamacion në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Maqedonia u pranua si anëtare e 181-të në Organizatën botërore. Megjithatë për shkak të kundërshtimeve dhe presioneve të Greqisë, e cila nuk e pranon emrin kushtetues të Maqedonisë, anëtarësimi në KB u bë nën referencën e përkohshme Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë.

Nën patronazh të KB-së, Shkupi dhe Athina filluan bisedimet për zgjidhjen e problemit dhe përfundimisht pas negociatave shumëvjeçare, më 17 qershor 2019 në Prespë u nënshkrua marrëveshje mes të dy vendeve për zgjidhjen e kontestit me emrin.

Gjatë 28 viteve të kaluara të pavarësisë Maqedonia kaloi në një sërë problemesh dhe vështirësish.Inflacioni treshifror në fillim të viteve të 90-ta, embargoja greke, kriza kosovare e refugjatëve dhe konflikti në vitin 2001 ishin sfida të vërteta dhe kërcënime për shtetin e ri të Maqedonisë, që e ngadalësuan rrugën e saj drejt realizimit të qëllimeve strategjike – përforcimin e demokracisë dhe integrimin në strukturat euro-atlantike.

Vitet e fundit i shënoi procesi i përshtatjes së legjislacionit me legjislacionin e Bashkimit Evropian, decentralizimi i pushtetit, reformat në mbrojtje të nevojshme për anëtarësim në NATO. Edhe krizat e fundit politike shkaktuan ngecje në procesin e eurointegrimeve, por u tejkaluan me marrëveshjen e Përzhinos, zgjedhjet parlamentare të dhjetorit dhe formimin e shumicës së re qeveritare.

Edhe përkundër plotësimit të të gjitha kritereve për anëtarësim të plotë në NATO në Samitin e Aleancës në Bukuresht në prill të vitit 2008, Republika e Maqedonisë mori vetëm ftesë të kushtëzuar për anëtarësim, pasi Greqia për shkak të kontestit për emrin e bllokoi pranimin.

Në vitin 2005 Maqedonia mori statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, ndërsa vjet edhe rekomandim nga KE-ja për fillimin e negociatave paraqitëse me Unionin.

Me nënshkrimin e marrëveshjes së Prespës u hap rruga drejtë NATO-s dhe BE-së. Vendi në mars të vitit 2020 duke plotësuar të gjitha proceset zyrtare u bë anëtarja e 30-të e NATO-s.
/Derveni.info