Vijon të jetë problematike situata me kalimin e punëtorëve shqiptar në pikën kufitare të Hanit të Hotit për të shkuar në Malin e Zi.
Edhe ditën e sotme ato janë kthyer sërish, pasi e vetmja zgjidhje është bërja e tamponit pranë pikës doganore në Hanin e Hotit. Por për punonjësit kostoja e tamponit 23 euro është e papërballueshme për to, ndërkohë që i bëjnë thirrje qeverisë për zgjidhjen e situatës. Edhe pse me të dy dozat e përfunduara duhet të presin edhe 14 ditë për të kaluar kufirin sipas masave te reja.
‘Kjo është shumë problematike për ne pasi na kanë venë edhe tamponin që kushton 25 mijë lekë dhe për ne është shumë e lartë kjo pagesë. Në për aq punojmë sepse jemi punëtor krahu, ne nuk kemi dobi. Jam i vaksinuar me dy doza. Pala malazeze na kthen pas. tani e kanë bërë që duhet të kalojnë dhe 14 ditë pasi është bërë doza e dytë, i bëj thirrje policisë së shtetit të marrë masa.
Ne për 10-15 euro dalim të punojmë e këto duan 23 euro për tampon. E kam bërë vaksinën, dozën e parë. Dozën e dytë e kam me datën 9 tetor.
Ku na del ekonomia, për ti dhënë paret Edi Ramës. Nuk e kam bërë vaksinën, detyrohem të tregojmë tampon. Me këtë tamponin duan të na marrin paret kot.’- thanë punëtorët.
RREGULLAT PËR TË KALUAR NË MALIN E ZI
Duke nisur nga 14 shtatori të gjithë qytetarët e huaj që duan të udhëtojnë drejt Malit të Zi do të duhet të paraqesin këto dokumenta:
1- Një vërtetim që kanë kaluar 14 ditë nga rivaksinimi, për vaksinat që jepen me dy doza, ose kanë kaluar 14 ditë nga vaksinimi për vaksinat që jepen me një dozë;
2- Një test PCR negativ Covid-19 jo më të vjetër se 72 orë, ose testin pozitiv PCR nga i cili kanë kaluar të paktën 14 ditë, por jo më shumë se 180 ditë;
3- Test negativ antigjen, jo më të vjetër se 48 orë;
Qytetarët e Malit të Zi dhe shtetasit e huaj me qëndrim të përkohshëm në Mal të Zi, të cilët nuk plotësojnë asnjë nga kushtet e mësipërme, duhet të karantinohen. Izolimi mund të ndërpritet pas një testi PCR negativ, pas ditës së gjashtë nga kalimi i kufirit.