Për analistin Skënder Minxhozi , vendimi i marrë nga kryeministri Albin Kurti për reciprocitetin e targave ka trazuar të gjithë rajonin.
I ftuar në “Real “Story” në News24 me gazetarin Sokol Balla, Minxhozi tha se Serbia e shikon targën si një detaj sovraniteti nga një shtet që nuk pranon ta shikojë si sovran.
Lidhur me praninë e tankeve në veri, ai tha se Serbia nuk do të futet të territorin kosovar pasi hyri njëherë dhe doli humbëse.
“Çështja është aq komplekse dhe kalkulimet janë të pafundme. Në terren luajnë, shqiptarët, serbët, perëndimi, fqinjët e tjerë, është Rusia nga ana tjetër. Janë edhe kalkulimet elektorale që të çojnë në disa konkluzione. mendoj se thelbi i gjithë këtij konflikti është që ri çon tanket për të mos zbatuar diçka që ti e ke firmosur. Pse Kurti e bëri këtë? Natyrisht që është në pragun e një fushate elektorale. E dyta Kurti idilin politik rajonal mes disa liderëve nuk e pëlqen. Mund të thuhet se Kurti ka hedhur një gurë për të trazuar një pellg që destabilizon të gjithë gurët e tjerë të dominosë. Kjo është një bufonatë militare nga ana e Serbisë. Nuk është vetëm kjo marrëveshje që Vuçiç ka shkelur. Ajo sillet në një mënyrë të ngjashme edhe me marrëveshjen e arritur me qeverinë paraardhëse. Serbia nuk çalon në procedurë, por sistem. Serbia sillet si një etnitet që konteston të tërën.
Problemi nuk është çështje targe. Ajo e sheh targën si një detaj sovraniteti të një shteti që refuzon ta shohë si shtet sovran. Serbët e zbresin problemin jo tek njohja e shtetit por tek njohja e targës. Ashtu siç luan Kurti duke nxjerrë një as nga brenda, por luan së brendshmi edhe Vuçiç. Vuçiç e di që linja e Ballkanit të Hapur konsolidon pozitën serbe në Balkan. Nuk e merr asnjëherë çështjen e Kosovës aty ku perëndimorët i kanë thënë. Jam i bindur që tanket e Serbisë janë prej letre. Serbia nuk do të futet në tokën kosovare për të cilën është bërë një luftë të cilën Kosova e ka fituar”- tha ai.