Mozaiku i Linit në Pogradec tashmë i restauruar ka tërhequr vëmendjen e publikut. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti solli në vëmendje punën e kryer, ndërsa shtatori është muaji i trashëgimisë kulturore.
“Restauruam dhe hapëm për publikun Mozaikun e Linit, Pogradec, këtë copëz trashëgimie e mbrojtur nga UNESCO”, u shpreh Margariti.
Mozaiku i Linit iu nënshtrua ndërhyrjeve pas 20 vitesh, rikonstruktim dhe pastrim, duke u rikthyer në bukurinë e saj si një nga vendet e mbrojtura nga UNESCO.
Specialistët e Sektorit të Veprave të Artit pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës, realizuan hapjen e mozaikut që ndodhet në bazilikën e Linit.
Pasi u larguan shtresat e rërës, u realizua pastrimi me kujdes i sipërfaqes. Gjendja e tij do të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme dhe pastrimi i tij do të bëhet në mënyrë periodike.
Mozaiku shumëngjyrësh ka zbukurime kafshësh, bimore e gjeometrike, ku mbizotërojnë simbolet e kultit./atsh/