MENU
klinika

Superliga e Kosovës, Java 7

Ndalet Ballkani, Drenica merr kreun e renditjes

29.09.2021 - 18:06

Bëhet interesante gara në Superligën e Kosovës. Ballkani ka barazuar 0-0 me Feronikelin dhe humb kreun. Drenica tani është lider pas fitores 1-0 kundër Malishevës. Në anën tjetër, Gjilani fitoi ndeshjen me Llapin.

Skuadra e Ballkanit ka dështuar ta ruajë vendin e parë. Skuadra nga Suhareka ka barazuar pa gola në shtëpi ndaj Feronikelit, sfidë e vlefshme për javën e shtatë të Superligës. Me këtë barazim, Ballkani bie në vendin e dytë me 13 pikë.

Drenica gjithashtu luajti gjatë ditës së mërkure, dhe mundi 1-0 në shtëpi Malishevën. Golin e tri pikëve e shënoi Harallamb Qaqi. Një sukses që i jep kreun skuadrës së Drenicës.

Gjilani i udhëhequr nga trajneri Ismet Munishi ka fituar me vështirësi kundër Llapit, në ndeshjen ku u panë tre gola e dy kartonë të kuq. Të parët në epërsi kaluan mysafirët, Francisco Rivera shënoi për 0-1, me të cilin rezultat u mbyll pjesa e parë.

Në pjesën e dytë, Gjilani barazoi nga pika e bardhë. Kushtrim Shabani u ndëshkua me karton të kuq. Gjyqtari akordoi penallti për vendësit dhe e ndëshkoi me të kuq Shabanin. I saktë nga penalltia ishte Gerhard Progni në minutën e 66-të.

Kartoni i kuq për Gjilanin erdhi në minutën e 83-të, kur nga loja u përjashtua Muhamet Dubova. Me lojtarë të barabartë tashmë në fushë, Gjilani arriti që të gjejë golin e tri pikëve. Progni pas harkimit nga këndi e gjeti mbrojtësin e krahut të majtë, Armend Halilin, i cili shënoi me kokë për rezultatin final 2-1.