Ditët e fundit në rrjetet sociale janë rikthyer çuditërisht, disa nga momentet më të paharrueshme të KPD-së së famshme të dhjetorit 2001, kur Fatos Nano shënoi kulmin e fushatës së tij për “katarsis” brenda PS. Kjo pjesë e historisë së liderit të majtë, po evokohet nga propaganda dhe mbështetësit e Sali Berishës brenda PD, në një përpjekje djallëzore për ti barazuar mes tyre.
Qëllimi është që të legjetimojnë, përmes një shembulli nga historia politike e postkomunizmit, aksionin e sapo nisur për largimin e Lulzim Bashës dhe rikthimin e Sali Berishës në krye të PD. Për fatin e tyre të keq, këto dy rastet nuk kanë asnjë të përbashkët, ndaj është e kotë të krahasosh të pakrahasueshmet.
Për ata që nuk e dinë se për çfarë po flasin, ose bëjnë sikur kanë harruar, po bëj një rifreskim telegrafik të fakteve. Megjithëse kanë ndodhur në një distancë kohore prej 20 vjetësh nga njëra tjetra, shumëkush në këtë vend ka gjithmonë aq memorie, sa të kujtojë për ti parë faktet në dritën e së vërtetës:
I.
2001- PS i fitoi zgjedhjet e 24 qershorit 2001, duke siguruar një mandat të dytë qeverisës radhazi, që e lejonte Ilir Metën të vijonte si Kryeministër. PS pësoi një rënie prej 28 deputetësh, në raport me mandatin e parë, të fituar në zgjedhjet e 1997. Këtë radhë, raporti i OSBE/ODIHR ishte shumë kritik për standardin e procesit, sidomos në lidhje me rolin e qeverisë socialiste.
2021- PD sapo ka dalë nga procesi i zgjedhjeve të përgjithëshme parlamentare të 25 prillit 2021, duke humbur për herë të tretë radhazi, si kurrë më parë në historinë e 30 viteve të ekzistencës së saj. OSBE/ ODIHR pavarësisht pretendimeve të lidershipit të opozitës, ka nxjerrë një raport pozitiv në lidhje me standardin e zgjedhjeve, duke dhënë indirekt vlerësim pozitiv për qeverinë që është përgjegjëse për to.
II.
2001- njëzet vjet më parë Fatos Nano megjithëse ishte kryetar i PS dhe lideri që kishte bërë 4 vite burg politik (1993-1997), po mënjanohej nga ndikimi dhe vendimarrja në pushtetin ekzekutiv dhe legjislativ. Pesha e pushtetit kishte kaluar në duart e Kryeministrit Ilir Meta dhe mbështetësve të tij në forumet drejtuese të PS, cilët ishin kryesisht ministra dhe zyrtarë të tjerë të lartë. Në thelb, ky ishte një konflikt mes liderit legjitim të partisë dhe ushtruesve të pushtetit në emër të saj.
2021- Sali Berisha nuk është Kryetari legjitim i PD, madje 8 vjet më parë ai deklaroi publikisht pas humbjes në zgjedhjet e 2013, se do të largohej. Propoganda e tij e konsideronte deri dje, një pensionist politik dhe pa ndikim në procesin e vendimarrjes së lidershipit të partisë. Konflikti me Lulzim Bashën nisi pasi Sali Berisha u shpall “non grata” nga SHBA dhe ndryshe nga politikanët e tjerë të kësaj liste të zezë, ai nuk pranoi që ta linte mandatin e deputetit.
III.
2001- Fatos Nano ishte Kryetar i PS dhe e dha vetë dorëheqjen, në mënyrë që të sfidonte grupin kundër tij në Qeveri dhe Parlament, me anë të lëvizjes për katarsisin e lidershipit të partisë me mbështetjen e anëtarësisë në terren. Pas kësaj, ai hyri si i barabartë në garën për kreun e PS, përballë Pandeli Majkos. Kjo ka qenë gara më demokratike e zhvilluar brenda partive shqiptare, që përfundoi me një rezultat shumë të ngushtë votimi në Kongresin e jashtëzakoshëm. Fatos Nano fitoi, duke u rikthyer sërisht, në krye të PS. Pas pak javësh, ishte logjike që ai të bëhej, edhe Kryeministër (2002-2005).
2021- Sali Berisha filloi të flasë kundër Lulzim Bashës, vetëm pasi ai e largoi nga Grupi Parlamentar i PD, derisa të sqarohen në rrugë gjyqësore pretendimet që ka, se “SHBA nuk kanë anjë provë, fakt e dokument kundër tij”. Sali Berisha nisi turin e takimeve në bazën e partisë, duke kërkuar mbledhjen e Kuvendit Kombëtar, i cili vetëm pak javë më parë në prani edhe të tij në sallë, e konfirmoi Lulzim Bashën si kryetar për 4 vitet e ardhëshme.
Kaq mjafton për të kuptuar së kemi të bëjmë me dy histori të kundërta dhe me dinamika të kithta politike brenda PS dhe PD, të cilat nuk kanë asnjë pikëtakimi me njëra tjerën. Ironia e kësaj përpjekjeje dëshpëruese është se, mirë që i mori lirinë politikisht vetëm se ishte lideri i opozitës dhe ai në pushtet, por Sali Berisha sot po kërkon që ti grabisë Fatos Nanos edhe kredon politike të një lëvizje për pastrimin e lidershipit të partisë.
Aq të “ngjashme” janë këto dy lëvizje brenda PS e PD, sa edhe “tiparet” politike të dy liderëve të tyre historikë. E për këtë, mjafton të kujtosh se Fatos Nano është themeluesi i institucionit të dorëheqjes në demokraci, ndërsa Sali Berisha i mosikjes kurrë nga PD dhe politika sa të jetë gjallë!