Al-Kaeda po rikthehet në Afganistan. Paralajmërimi vjen nga CIA, agjencia kryesore e zbulimit të jashtëm në Shtetet e Bashkuara, që paralajmëon për rikthimin e kohërave të frikshme të sulmeve terroriste në perëndim, si ato të 11 Shtatorit 2001 në Nju Jork e Uashington.
Nën/drejtori i kësaj agjencie Dejvid Kohen tha se me largimin nga Afganistani të ushtrive të NATO-s, militantët e Al-Kaedës po rimblidhen në këtë vend nga e gjithë bota. Ata janë aleatë të regjimit të talebanëve. Edhe pse mendohej i vdekur, Aiman Al Zauahiri, lideri i tyre pas Bin Ladenit, u shfaq në një video-mesazh për 20-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit. Dyshime ka se video mund të jetë regjistruar më herët, pasi në asnjë rast nuk pëmendet rikthimi në pushtet i talebanëve.
Sakaq, presidenti francez Emanuel Makron njoftoi se ushtria e vendit të tij vrau kreun e Shtetit Islamik për rajonin e Saharasë, Adnan Abu Valid al-Sahraui përgjegjës për sulme kundër stafeve perëndimore gjatë viteve të fundit që kanë shkaktuar dhjetëra viktima.