MENU
klinika

Nga Ilir Yzeiri

Ne, të mbijetuarit e 11-shtatorit

12.09.2021 - 20:41

20-vjetori i tragjedisë amerikane apo « 9/11 », siç shënohej këto ditë, u përkujtua në të gjithë botën sepse 11 Shtatori, siç është pranuar nga të gjithë, ndryshoi rrjedhën e jetës jo vetëm në Amerikë, por në të gjithë botën.

Nga ato që kam parë e dëgjuar këto ditë më kanë mbetur në mendje dy gjëra : gazetarja dhe presidentja e RAI-it, Monica Maggioni, në specialen që kishtë përgatitur të shtunën RAI1, vërejti diçka që është vërtet e përbashkët për të gjithë ne që e përjetuam drejtpërdrejt atë tragjedi. Ajo tha se është e çuditshme, por të gjithë ata që e kanë parë atë ngjarje kujtohen me saktësi se ku kanë qenë në atë moment dhe sjellin ndërmend me detaje se çfarë ndodhi. Unë e mbaj mend me saktësi ku ndodhesha atë ditë, por edhe ju që po lexoni këto radhë besoj kujtoheni se ku ishit dhe çfarë po bënit në çastin kur Kullat Binjake u goditën nga sulmi më i tmerrshëm terrorist i të gjithë kohërave. Ndërsa një gazetar amerikan, i intervistuar në këtë emision, duke treguar se si ishte gjendur atë ditë pranë Kullave Binjake për një emision rutinë dhe pastaj kishte mbetur aty për katër ditë resht, tha : ne të gjithë jemi të mbijetuarit e 11 shtatorit. Pikërisht kët dy topika doja të shtjelloja në këtë shkrim.

11 Shtatori ishte ngjarja e parë në historinë e luftërave ku gjithë bota merrte pjesë « live » në të, ku të gjithë ndiqnin drejtpërdrejt jo një film për ngjarje apokaliptike, por shihnin një histori të vërtetë dhe para syve të tyre nuk humbnin jetën aktorë të një filmi horror, por digjeshin të gjallë e vdisnin njerëz realë. Në këtë rast realiteti e tejkaloi fiksionin dhe kjo është arsyeja pse ne që morëm pjesë në këtë ngjarje tragjike të përmasave të padëgjuara, në një farë mënyre, jemi të shokuar ende dhe goditja që kemi marrë në vetëdije dhe në nënvetëdije është aq e madhe sa kurrë nuk kemi për ta harruar. Pas asaj ngjarjeje ndodhën ato që i dime të gjithë. Pushtimi i Afganistanit pas atij të Irakut, shkatërrimi i Al Kaedës, largimi i talebanëve nga pushteti dhe një luftë që vetëm zyrtarisht nuk po quhej Luftë Botërore. Vetëm se këtë radhë në fjalorin e luftërave hyri një nocion tjetër : TERRORIZMI. Bota e tronditur dhe Perëndimi sidomos, e përjetuan këtë sulm mbi SHBA-të si goditje kundër tyre. Mirëpo vetëm atëherë bota mësoi se Arabia Saudite kishte mbështetur dhe frymëzuar radikalët isalmikë për luftën e shenjtë, xhihadin, vetëm atëherë u mësua se terrorizmi që frymëzohej nga islami radikal dhe që kishte në qendër një nga mendjet më diabolike të kohës, Osama Bin Ladenin, po përgatiteshin që të godisnin dhe sfidonin demokracinë amerikane dhe përmes saj gjithë frymën e botës perëndimore.

Në këta vite janë botuar libra pa fund dhe janë zhvilluar teori nga më të ndryshmet për të shpjeguar këtë tragjedi. Tani në fund, pas tërheqejs së SHBA-ve dhe aleatëve nga Afganistani Amerika është kryqëzuar përsëri nga ata që thonë se misioni i saj faleminetoi. Këto ditë u përkujtuan edhe sulmet e tjera terroriste mbi Europën në Spanjë, Angli dhe në Francë sidomos. Mirëpo një vëzhgim i gazetarit të njohur të CNN-it Farid Zakaria, ditën e diel në emisionin e tij GPS, tregonte se, sipas sondazheve, mbështetja për radikalët islamikë dhe sulmet terroriste është ulur ndjeshëm edhe në botën myslimane. Shteti i talebanëve, fjala vjen, nuk është njohur nga Liga Arabe. Atë e ka njohur Kina, Pakistani e ndonjë tjetër. Terrorizmi nuk ka qenë një sulm vetëm mbi popullsinë perëndimore. Ai ka vrarë edhe me mijëra myslimanë.

Megjithatë, bota nuk është e sigurtë dhe 11 Shtatori është një njollë në vetëdijen tonë që nuk do të na shqitet kurrë. Në emisionin e RAI-t që përmenda më sipër u intervistua edhe një ish-i burgosur i Guantanamos që kishte amrrë pafajësinë. Falimentimi i inteligjencies para sulmeve të 11 shtatorit, gabimet e shumta në luftën në Afganistan dhe mbajtja ende e burgut famëkeq të Guantanamos janë disa nga dritëhijet e sjelljes amerikane në këtë luftë. Kur u pyet se si mund të ndalet terrorizmi, ai tha se vetëm nxitja e demokracisë dhe e lirisë së mendimit në këto vende mund ta shmangë rrëshqitjen në terrorizëm, sepse ai është një lloj totalitarizmi që ushqen urrejtjen dhe nxit dhunën.

Në fakt, pavarësisht se në Afganistan erdhën talebanët, ai shtet nuk është si më parë. Aty është mbjellë fara e brishtë e lirisë. Sot aty ka universitete, sot ne shohim vajza e gra që protestojnë në rrugë. Mjaft shtete islamike praktikojnë zgjedhjet parlamentare në sistemin e tyre politik. Dhe kjo është shenja se SHBA-të dhe Perëndimi, pavarësisht gabimeve që mund të kenë kryer në këta vjet, ato nuk janë sfiduar sepse modeli perëndimor i jetës po tregohet se është ai që nuk prodhon terrorizëm. Ne, të mbijetuarit e 11-shtatorti, siç tha gazetari amerikan në emisionin që përmenda, e kemi për detyrë të tregojmë jo vetëm kronikën e asaj dite që nuk do ta harrojmë kurrë atë që ndodhi më 11 shtator.