Sipas Ballës, në fokus të seancës plenare të së enjtes do të jetë prezantimi i përbërjes së Këshillit të Ministrave dhe programit qeverisës të qeverisë “Rama3”.
“Kemi miratuar me konsensus pikën e rendit të ditës, që lidhet me kohën e debatit, lidhur me miratimin në Kuvend të përbërjes së qeverisë. Nga opozita ka pasur disa propozime, që lidhen me sfazimin e kësaj seance dhe ne kemi rënë dakord që kjo seancë të ndahet në tre pjesë.
Bazuar në traditat e mëparshme ne kemi rënë dakord që kjo seancë të përbëhet nga tre pjesë. Pjesa e parë është prezantimi i programit të qeverisë dhe Këshillit të Ministrave nga kryeministri. Pastaj është faza me të gjitha pyetjet. Në fund, hapet debati, pra në fazën e tretë, që kulmon me momentin e votimit, që është një votim i vetëm qoftë për përbërjen e Këshillit të Ministrave, qoftë për programin qeverisës 2021-2025.
Në këtë këndvështrim, mendoj se kemi pranuar kërkesën e deputetëve të opozitës, ose të grupeve parlamentare të opozitës, sepse unë kam kërkuar në fillim që ne të vendosim një kohë, që lidhet dhe me një nevojë të arsyeshme që Kuvendi të përshtasë veprimtarinë e vet me nevojën që na imponon qasja që duhet të kemi ndaj pandemisë së Covid-19. Pra, për të pasur një kohë të reduktuar. Kjo nuk është pranuar nga kryetarët e grupeve parlamentare të opozitës dhe përfaqësuesit e tjerë të opozitës, të cilët kanë kërkuar që t’i referohemi nenit 48 të rregullores, që përcakton se çdo deputet ka të drejtë të flasë jo më shumë se 10 minuta dhe kështu do të jetë. Kështu është edhe vendimi i Konferencës së Kryetarëve sot. Nesër do të hyjmë në procesin, ose në seancën e rëndësishme të prezantimit të programit dhe përbërjes së Këshillit të Ministrave dhe besoj se pastaj do të ecim hap pas hapi që të kemi qeverinë e re të miratuar nga Kuvendi”, tha mes të tjerash Balla.