MENU
klinika

Arsyeja

Nesër seanca në Kuvend, Basha mbledh grupin parlamentar të PD

15.09.2021 - 17:35

Të gjitha lajmet që po prodhohen nga politika gjatë ditëve të fundit, vijnë nga selia blu, në të cilën në ndryshim nga e kaluara, ka shumë zhvillime me mbledhje që zhvillohen njëra pas tjetrës.

Sot, Lulzim Basha do të mbledhë në orën 19:00 grupin parlamentar të PD-së, ku padyshim tashmë është fakt se Sali Berisha nuk do të jetë. Nga ajo që mësohet deri më tani, është se kjo mbledhje vjen vetëm një ditë para se të mbahet seanca e radhës parlamentare ku pritet të prezantohet programi i qeverisë Rama 3 si dhe të votohet përbërja e kabinetit qeveritar e pikërisht kjo mendohet të jetë edhe fokusi i kësaj mbledhje.

Në 2 seancat e kaluara ku u votua për kryeparlamentaren dhe strukturat e reja të Kuvendit, opozita nuk është treguar bashkëpunuese, ku kanë grisur fletën e votimit si edhe kanë bojkotuar seancën. Mbetet për t’u parë se cili do të jetë aksioni i opozitës ditën e nesërme.

Megjithatë, duhet theksuar se kjo mbledhje vjen në një kohë kur Sali Berisha të enjten do të nisë turin për të takuar anëtarësinë e PD për ta shtrirë në të gjitha qytetet e tjera të Shqipërisë.